Një sasi tritoli shpërtheu mëngjesin e kësaj të diele në ambientet e jashtme të një lokali që ndodhet në shëtitoren buzë detit në Vlorë. Ngjarja ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit ndërsa fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
Lokali, funksiononte si bar, restorant e piceri, dhe është në pronësi të familjes së Bledar Birçajt, i ekzekutuar me breshëri plumbash në 10 maj të vitit 2021 në makinën e tij në lagjen ‘Hajro Çakërri’.
Lexo edhe :
Related Posts
Ndërkohë vëllezërit e Bledarit kishin pak ditë që e kishin vënë në punë biznesin pasi prej kohësh ka qenë i mbyllur.
Deri më tani policia nuk ka ende emër të autorit, por kamerat e lokalit kanë filmuar një person i cili ka qenë me maskë. Ai ka ardhur nga ana e lokaleve dhe pasi ka vendosur tritolin me fitil e ka ndezur duke shkaktuar shpërthimin. Më pas është larguar në këmbë mes pallateve.
Bledar Birçaj u ekzekutua me kallashnikov teksa lëvizte me mjetin e tij tip BMW në zonën e quajtur Bishti i Kalldrëmit në Vlorë. Atentati ndodhi rreth orës 13:00 në 10 maj 2021.
40 vjeçari ishte në makinë me Granit Deromemaj, në atë kohë efektiv i Antidrogës, por që më pas u përjashtua nga Policia e Shtetit. Kamerat e sigurisë së një karburanti afër vendit ku ndodhi ngjarja regjistruan të gjithë skenën.
Sapo mjeti BMW ka mbërritur pranë karburantit, 2 persona dolën nga makina të maskuar e të armatosur duke qëlluar me breshëri në drejtim të shoferit dhe më pas u larguan nga vendi i ngjarjes. Pasi ekzekutorët ikën, Granit Deromemaj doli nga makina dhe u largua me vrap, ndërkohë që Birçaj humbi jetën në spital.
Vrasja e Bledar Birçaj ka mbetur ende pa autor, ndërsa pista kryesore e hetimit atëherë u tha se ishin konfliktet e mundshme të tij në Spanjë, prej nga ishte kthyer një muaj para se të ekzekutohej. /vizionplus.tv







