Sjelljen e kryeministrit Edi Rama, demokrati Tritan Shehu e krahasoi me atë të politikanit venezuelian, Nicolas Manduro. Në “Facebook”, ish-deputeti tha se situata nga koronavirusi do të përkeqësohet me ardhjen e vjeshtës dhe afrimin e dimrit. Por sipas tij, qeveria nuk po merr asnjë masë ekstra.

 

“Afrimi i tetorit me këto shifra ekstreme Covid, në kushtet e papërgatijes përballuese parashikon për më keq kur: Testimi qesharak, rreth 500 në ditë me një pozitivitet të frikshëm 30-35%, flet për shumë më keq nesër. Asistenca ambulatore mjekësore “alo, alo” e paorganizuar, pa protokolle mjekuese e diagnostikuese, pa rimbursim të shpenzimeve të qytetarëve, ku nuk dihet as numri i të sëmurëve, është një nga shkaqet serioze përkeqësues të komplikacioneve e vdekshmerisë së lartë, një premise e keqe për nesër. Koncentrimi i gjithçkaje vetëm në dy spitale me kushte mjekuese, veçanërisht të terapive intensive larg standardeve, rëndon gjendjen shëndetësore. Sistemi shëndetësor po zhytet në kolaps, kur dhe “gripet stinore” po afrojnë për të krijuar jo vetëm mbivendosje të rrezikshme me Covid te individët, por dhe komplikim të kuadrit klinik e epidemiologjik.”

 

Tritan Shehu kërkoi nga shumica qeverisëse që të reagojë sa më parë për testimin falas kundër gripit dhe garantimin e vaksinës antiCOVID kur ajo të jetë gati.

 

“Në këto kushte është i domosdoshëm sigurimi brenda dyjavorshit të parë të tetorit mbulimin gratis nga shteti i të gjithë popullësisë me vaksinën e “gripit stinor”, e cila po hidhet në treg. Kur aktualisht ka filluar “gara” nga shtetet për sigurimin e vaksinës Covid, qe sic duket nuk do të jetë e largët, qeveria jonë duhet të “zgjohet” e të kontraktojë sasitë e plota për vendin tonë, duke mos u fshehur pas procedurave jo eficiente për ne, siç ajo COVAX. Të kërkohet urgjent mbështetja e plotë, e gjerë e stabël nga partnerët tanë, domosdoshmëri kjo siç konkludoi e grupi italian për të përballuar më të keqen. Por Rama as do t’ja dijë, ai po sillet si Maduro, n.q.s. i dyti dënon të sëmurët si “terroristë biologjikë”, Rama i lë në mëshirë të fatit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *