Ndërtuesit, agjentët imobiliarë apo vlerësuesit e pronave ndajnë mendime të ndryshme lidhur me ecurinë që do të ketë tregu i pronave në vitin që vjen.
Shoqata e ndërtuesve është e mendimit se çmimet nuk do të ulen, ato do të rriten më tej, ku bregdeti do të jetë në qendër të kësaj rritjeje.
Por edhe në Tiranë apo në rrethe në zonat urbane, çmimet do të shënojnë një rritje të lehtë sipas ndërtuesve pasi në treg ka një trend të ri.
“Rivlerësimi është një proces që i vlen tregut. Është i mirëpritur, pasi jep frymëmarrje, por nuk është faktor për të ulur çmimet. Për aq kohë sa ka kërkesë për prona, çmimet nuk priten të ulen, por do të rriten më tej. Në treg po konstatohet një trend i ri. Kompani të huaja po vijnë dhe po blejnë me dhjetëra apartamente për t’i dhënë më pas ato me qira apo për t’i rishitur, sidomos në zonat bregdetare. Një nga këto raste është për 10 mijë metra katrorë objekte që po i blen një kompani në Shëngjin për t’i rishitur apo për t’i dhënë me qira në një moment të dytë”, tha Ilir Hebovija, drejtor “Shoqata e ndërtuesve” gjatë një interviste për “E-ZONE”.
Por të dhënat më të fundit nga ISNTAT tregojnë se ka një rënie të numrit të lejeve të ndërtimit, por ka një shtim të sipërfaqes ndërtimore, e cila në tremujorin e tretë të këtij viti arriti në 350 mijë metra katrore.


“Ndërtimi do të vazhdojë të jetë një ndër sektorët kryesorë. Ka kërkesa dhe kjo kërkesë duket se do të ndjek këtë trend edhe të paktën 5 apo 10 vitet e ardhshme”, tha Hebovija.
/vizionplus.tv





