Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur edhe për një vit në monitorim katër kompanitë më të mëdha të prodhimit dhe tregtimit të miellit në Shqipëri.

Kompanitë Bloja, Atlas Mills, Miell Tirana dhe Agro Blend duhet të bëjnë raportim tremujor në lidhje me kostot e importit të grurit, kostot e miellit dhe çmimin e shitjes së miellit, si edhe të paraqesin raportim tremujor në lidhje me blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna.

Sipas vendimit që shkaktoi një ndarje mes pesë anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës, shumica e tyre nuk kanë krijuar bindjen se katër kompanitë kanë realizuar një sjellje të bashkërenduar gjatë periudhës njëvjeçare në monitorim, pasi nuk janë evidentuar prova apo një numër i konsiderueshëm indiciesh për të dalë në një konkluzion të bazuar se sjelljet e ndërmarrjeve në hetim kanë cenuar konkurrencën e lirë. Komisioni i Konkurrencës vlerëson se në këtë rast nuk gjendemi në kushtet e vërtetimit përtej çdo dyshimi të arsyeshëm të sjelljes së bashkërenduar për produktet që tregtojnë ndërmarrjet.

“Një vlerësim gjithëpërfshirës që do të mund të na çonte në krijimin e një opinioni më të konsoliduar në lidhje më sjelljen e tyre (në pamundësi të gjetjes së provave të tjera) do të kërkonte një periudhë monitorimi shumë më të gjatë sesa një vit,” thuhet në vendim.

Nga të dhënat e siguruara nga ndërmarrjet në monitorim, rezulton se norma e fitimit për ndërmarrjet AgroBlend, Atlas Mills, Miell Tirana dhe Bloja për vitet 2007-2020 paraqitet në nivele të ulëta dhe të ndryshueshme në vite, për secilën ndërmarrje. Madje, nga informacionet dhe deklarimet e depozituara në Autoritetin e Konkurrencës nga ndërmarrjet nën hetim e monitorim, rezulton se njëra nga ndërmarrjet ka periudha kohore të operimit në humbje.

Në shumicë, Komisioni i Konkurrencës ka arsyetuar se ndryshimi i çmimit të blerjes së grurit, ka bërë që edhe çmimi i miellit të rritet për pasojë. Për rritjen e çmimit të miellit në muajt e fundit nuk ka prova të mjaftueshme që ka qenë abuziv përtej rritjes së niveleve të çmimit në burimin e furnizimit, duke qenë e provuar edhe nga normat e ulëta të fitimit edhe pas rritjes së çmimeve në bursa.

Megjithatë, për këtë çështje, një pakicë anëtarësh të komisionit, Juliana Latifi dhe Eduart Ypi kanë shfaqur opinione të ndryshme. Ata kanë përkrahur propozimin e sekretariatit për të ndëshkuar katër ndërmarrjet me gjoba që varionin nga 3.28% në 10% të xhiros së vitit 2020.

Të paktën në përmbajtjen e vendimit ku argumentohet mendimi i pakicës, nuk janë cituar fakte të reja konkrete të konstatuara gjatë periudhës së monitorimit, por Sekretariati i AK e ka motivuar propozimin për gjobë me faktin që ndërmarrjet në hetim kanë vazhduar të shfaqin të njëjtën sjellje të bashkërenduar që ishte konstatuar gjatë hetimit të thelluar. Dy anëtarët e Komisionit i referohen përkufizimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, sipas të cilit “një sjellje apo praktikë e bashkërenduar i referohet një forme koordinimi midis ndërmarrjeve të cilat, pa arritur në fazën ku një marrëveshje apo e ashtuquajtur marrëveshje është lidhur, zëvendëson me vetëdije rreziqet e konkurrencës të një praktike bashkëpunimi mes tyre.”

Megjithë mosdakordësinë mes anëtarëve, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur ta mbajë tregun nën monitorim, duke pasur parasysh shkallën e lartë të përqendrimit dhe faktin që ky përqendrim ka ardhur në rritje gjatë viteve të fundit. Pjesa e tregut të katër ndërmarrjeve nën hetim ka arritur në 85% për 9-mujorin 2021, nga 80% që ishte vitin e kaluar dhe 69% në përfundim të hetimit të thelluar, në mesin e vitit 2019. Gjithashtu, indeksi i përqendrimit HHI ka ardhur në rritje nga 1,433 në vitin 2017 në 1,967 për periudhën janar-shtator 2021, gjë që tregon se përqendrimi i tregut është rritur. Sipas vendimit, kur vlerat e HHI janë në nivelin nga 1,500 deri në 2,500, kjo tregje./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *