Tre muaj luftoi për jetën pas dëmtimit në ring, boksieri shuhet në moshën 31-vjeçare

Boksi irlandez është në zi pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të Lee Reeves, i cili humbi jetën në moshën 31-vjeçare, tre muaj pasi pësoi dëmtime të rënda gjatë një ndeshjeje boksi.
Reeves u dëmtua rëndë më 1 gusht 2026, në Dublin, gjatë përballjes me bashkëkombësin Gary Cully, në duelin për titullin Celtic të kategorisë super të lehtë. Ai u nokautua në raundin e 10-të dhe u transportua me barelë drejt spitalit.
Boksieri iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe qëndroi në koma të induktuar për muaj të tërë, duke luftuar për jetën. Sipas raportimeve të mediave irlandeze, një infeksion i rëndë u bë shkak për ndarjen e tij nga jeta të hënën, më 16 nëntor.
Lajmi u konfirmua nga kompania promovuese Queensberry, e cila e përshkroi Reeves si një boksier jashtëzakonisht të talentuar, një model frymëzimi për komunitetin e tij.
Në karrierën profesioniste, ai zhvilloi 18 ndeshje, duke regjistruar 16 fitore, 11 prej tyre me nokaut.
Edhe kundërshtari i tij, Gary Cully, i dedikoi një mesazh prekës, duke e kujtuar si një mik dhe një njeri të veçantë.




