Përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare së Transportit Urban, Ervin Shijaku shprehet se transporti nuk mund të rifillojë, me arsyetimin se nuk ka kushte ekonomike.

Në një lidhje direkte me edicionin e lajmeve në Vizion Plus, Shijaku  I konsideroi të papërballueshme për operatorët kushtet në protokollin e sigurisë.

“Protokolli i ministrisë ka disa kushte që janë të papërballueshme për operatorët, siç është mbajtja e distancës dhe kontrolli i tyre nga fatorino, minimumi i kapacitetit të autobusit që shkon në 25 për qind të tij. Nga 100 persona që ka autobusi, do të kemi vetëm 25 persona, duke marrë parasysh që do duhet të ruajmë distancën sociale prej 1 metër. Në bazë të kësaj, kapacitetit të autobusëve dhe të ardhurat e operatorëve ulen në 75 për qind. Shërbimi bëhet i pamunduar për t’u zhvilluar ekonomikisht.”

Sa i përket rrezikshmërisë që transporti mund të kthehet në një vatër infeksioni, ai pohoi që duke e bërë transportin publik falas për qytetarët, bie edhe kontakti direkt i fatorinos me pasagjerët.

“Pranuam edhe sugjerimin e ministrisë për ta bërë shërbimin qytetas pa pagesë për 6 muaj, deri në daljen e një bilete elektronike. Kjo do t’i vinte në ndihmë të gjithë qytetarëve të Tiranës. Duke bërë një transport publik falas për qytetarët, bie edhe kontakti direkt dhe indirekt i fatorinos me personat.  Transporti nuk mund të rifillojë, pasi nuk ka kushte ekonomike që mund të rifillojë, nuk mund të mbijetojë. Nuk mund të hapet sot, e të mbyllet nesër. Për aq kohë sa kemi këtë protokoll që është i parealizueshëm, atëherë ky transport nuk mund të rifillojë.”

Shijaku theksoi domosdoshmërine e uljes në një tryezë, me qëllim për të shikuar protokollin.

“Duhet të ulemi të gjithë në një tryezë e të shohim protokollin me pikat e mbivendosura, heqjen e përgjegjësisë. Nuk mund të ketë një fatorino që të bëjë rolin e policit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *