Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz është dënuar me dy ndeshje pezullim nga Komisioni i Disiplinës për shkak të reagimeve të tij ndaj arbitrit në ndeshjen ndaj Bylis.

 

Duke folur për mediat ai ka deklaruar se tani e tutje nuk do të ketë më asnjë deklaratë dhe asnjë reagim ndaj Federatës dhe arbitrave e çdo gjë do t’ia lërë në dorë klubit. Ai njëkohësisht ka folur edhe për situatën në skuadër në prag të ndeshjes së radhës me Tiranën.

 

“Kam folur gjatë me lojtarët e mi dhe të gjithë po mundohemi të dalim nga ky moment ku ndodhemi. Është shumë normale që çdo ekip të kalojë një krizë në një moment të caktuar, por e rëndësishme është që të dalim sa më shpejt prej saj dhe do të tentojmë ta bëjmë që në ndeshjen me Tiranën. Një fitore ndryshon gjithçka. Dua t’u dërgoj një mesazh edhe tifozëve: Duhet të na përkrahin edhe kur jemi në vështirësi. Ekipi është më i plotë për takimin e rradhës sepse na rikthehen disa lojtarë. Tani e tutje do të jemi të përqendruar maksimalisht në çdo ndeshje dhe nga ana jonë nuk do të ketë më asnjë deklaratë në lidhje me Federatën apo arbitrat. Me këtë çështje, do të merren drejtuesit e klubit. Ne vazhdojmë punën, duhet të qetësohemi pak dhe të mendojmë për vazhdimësinë”.

 

Nga ana tjetër, i pyetur në lidhje me objektivin e Vllaznisë për ndeshjen ndaj Tiranës, numri 1 i pankinës shkodrane është shprehur: “Çdo rezultat pozitiv është i mirë në këto momente për Vllazninë. Është shumë keq që kjo ndeshje do të luhet pa spektatorë, sepse futbolli luhet për ta. Janë dy klube historike dhe është mëkat që të luhet pa tifozë, por gjithsesi ne do të mundohemi të bëjmë punën tonë në fushën e lojës për të marrë rezultatin që dëshirojmë”.

 

Ndeshja Tirana-Vllaznia do të luhet të të premten në orën 18.00 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit pa praninë e tifozëve për shkak të dënimit të fushës së ekipit bardheblu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *