Roja bregdetare e Greqisë ka gjetur trupat e tetë emigrantëve të mbytur pranë ishullit Samos në Detin Egje, thanë autoritetet të hënën.
Gjashtë prej viktimave ishin të mitur, ndërsa dy të tjera gra, njoftuan autoritetet.
Policia greke shpëtoi 36 persona në pjesën veriore të ishullit Samos. Ndërkohë, tre njerëz të tjerë që kishin ngecur në një zonë gurore në këtë ishull, u shpëtuan nga oficerët e rojës bregdetare.
Avionë dhe anije ndihmuan për kërkimin dhe shpëtimin e emigrantëve, tha roja bregdetare.
Sipas një oficeri të rojës bregdetare, autoritetet u njoftuan për incidentin nga një organizatë joqeveritare dhe vlerësojnë se rreth 50 njerëz ishin në bordin e barkës që i solli ata në Samos.
Greqia, e cila shtrihet në këndin juglindor të Bashkimit Evropian, është portë e parapëlqyer për hyrje në Evropë për emigrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia.
Më shumë se një milion emigrantë dhe refugjatë u futën në ishujt lindor të Greqisë nga Turqia më 2015 dhe 2016. Shumë prej tyre u mbytën në përpjekje për ta bërë këtë rrugëtim të rrezikshëm me anije të dobëta.
Numri i tyre ra më vonë, por filloi të rritej sërish vitin e kaluar.
Rreth 54.000 emigrantë kanë arritur në Greqi deri tani këtë vit, që është numri i dytë më i lartë në Evropën jugore, pas Italisë. Shumica dërrmuese e tyre mbërritën me anije, sipas të dhënave nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatë, UNFCR.





