Trafik me ukrainas në Vlorë, Policia: Shfrytëzoheshin për veprimtari kriminale

Policia e Vlorës ka zbuluar dhe goditur dy raste të trafikimit të personave të rritur nga Ukraina.
Pjesëtarët e rrjetit rekrutonin shtetas ukrainas në vende të ndryshme të Europës, të cilët qëndronin në qendrat për azil, dhe i sillnin në Shqipëri me premtimin e një oferte pune dhe jete më të mirë në Vlorë.
Pas mbërritjes në Shqipëri ata i merrnin dokumentet e udhëtimit dhe i detyronin të kryenin aktivitete të kundërligjshme.
“Personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane”, tha drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela.
Çela tha se ende nuk ka indicie nëse mund të jenë përfshirë shqiptarë në këtë rrjet, megjithatë çështja ende po hetohet nga prokurori i çështjes Erion Murataj.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë 4 shtetas të huaj, për veprat penale “Trafikimi i personave të rritur”, kryer në bashkëpunim dhe “Kanosja”.
Gjithashtu, janë shoqëruar dhe 19 shtetas ukrainas, të moshës nga 18 deri në 26 vjeç, të cilët kanë qenë viktima të kësaj veprimtarie kriminale
Gjatë operacionit u sekuestruan 18 laptopë, 23 pasaporta udhëtimi, 4 karta ID dhe 23 celularë, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike në Institutin e Policisë Shkencore në Tiranë./vizionplus.tv




