Të gjitha rrugët që të çojnë në bregdet të ofrojnë të njëjtën pamje. Radhë kilometrike mjetesh dhe qytetarë që presin gjatë për të mbërritur në plazh.
Prej vitesh Vlora është qyteti, ku trafiku është shqetësimi i verës. Nuk ka rëndësi nëse është paradite apo pasdite, trafiku është i rënduar përgjatë gjithë ditës deri në orët e vona të mbrëmjes.
Shkak i mbingarkesës është numri i madh i vizitorëve dhe turistëve, që kanë zgjedhur Shqipërinë për të kaluar pushimet e verës.
Radha e makinave në pritje nis në hyrje të qytetit bregdetar, vazhdon përgjatë rrugës transballkanike, Lungomares dhe përfundon në aksin Vlorë-Orikum. As segmentet alternative të rindërtuara si rruga e lumit apo by-pass i Tragjasit nuk e kanë lehtësuar trafikun e rënduar.
E njëjta situata edhe në rrugën që të çon në Ksamil, i pagëzuar nga mediat e huaja si “Maldivet Shqiptare”. Në videon e shpërndarë nga Belinda Balluku, Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës është kilometrike radha e makinave të ngecura në trafik.
Edhe rrugët e Lezhës janë të mbipopulluara. në akset kryesore si brenda dhe në periferi që të çojnë drejt plazhit ka fluks makinash. Kjo ka bërë që policia të devijojë qarkullimin në rrugë dytësore.
Radhë kilometrike është krijuar këtë fundjavë në pikën kufitare me Greqisë, teksa qindra makina presin të hyjnë në vendin tonë.