Tmerri i flakëve në Krujë, Rama publikon reagimet e banorëve: Shteti ka qenë në këmbë, na kanë shpëtuar

Banorët e Krujës përjetuan mbrëmjen e djeshme momente paniku, pasi një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu faqen e malit dhe iu afrua rrezikshëm banesave. Më të rrezikuara ishin lagjet Abaze, Barabit dhe Varosh, ku flakët përparuan deri pranë shtëpive.
Në një video të publikuar në Facebook nga kryeministri Edi Rama, disa prej banorëve kanë shprehur mirënjohjen për ndërhyrjen e strukturave shtetërore dhe punën e bërë për përballimin e situatës.
“Shih çfarë është bërë këtu. Kujtova se mu dogj shtëpia. Shteti ka qenë në këmbë, ministri i Brendshëm, Hita. Mos të kishin qenë ata, shtëpia ime e lagja do ishte djegur. Ua bëftë zoti hallall zjarrfikësve, policëve, emergjencave, të gjithëve, këtu është dëgjuar era shtet. Faleminderit shumë”, thotë një prej banorëve.
Pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse dhe strukturave të tjera, vatrat e zjarrit në malin e Krujës janë izoluar dhe rreziku është eliminuar. Qindra banorë, të cilët ishin evakuuar gjatë mbrëmjes, janë rikthyer sot në banesat e tyre. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet e shkaktuara janë kryesisht materiale.
“E shikoni vetë komplet kjo pjesa e djegur, shtëpia, zjarri këtu. Zoti është i madh dhe shteti shqiptar ka qenë në gatishmëri. Puna dhe gatishmëria që është bërë këtu, neve sot na ka shpëtuar”, thotë një tjetër banor.
Flakët kanë qenë shumë pranë banesave, duke përfshirë edhe disa oborre, të cilat janë shkrumbuar. Ndërkohë, vetë ndërtesat nuk kanë pësuar dëmtime. Për shkak të situatës, janë kryer evakuime edhe në spitalin e Krujës, ndërsa në disa zona është ndërprerë energjia elektrike.
Për shuarjen e zjarrit është ndërhyrë si nga toka, ashtu edhe nga ajri. Helikopterët kanë asistuar për disa orë në operacionin për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre. Ndërkohë, policia ka arrestuar një banor të zonës, i dyshuar si autor i zjarrit. Sipas dyshimeve paraprake, ai kishte ndezur një zjarr në oborrin e banesës së tij për të djegur disa barishte, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe më pas janë përhapur në zonën pyjore.
/vizionplus.tv




