NGA TEA SADIKU
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vjen këtë vjeshtë me një kalendar të pasur artistik ku nuk do të mungojnë premierat, rivëniet si dhe bashkëpunimet e reja. Përmes kësaj axhende të ngjeshur ku nuk do të mungojnë emrat e afirmuar të skenës, TKOB synon t’i afrojë më shumë të rinjtë me skenën dhe të forcojë komunikimin me spektatorët në të gjithë vendin.
“Kemi një seri koncertesh simfonikë, ku do të veçoja disa prej tyre, duke nisur me atë që sapo fola me violinistin Giuseppe Gibboni. Një nga koncertet që do të mirëpritet do të jetë koncerti Beethovenit me violinistin Jonian Kadesha”, tha Aulon Naçi, drejtor i TKOB.
Në një skenë madhështore e kostumografi që të çon në Parisin e fundshekullit të XX-të, trupa artistike do të dhurojë për katër netë tingujt verdian përmes shfaqjes “La Traviata”. vepër e cila çel siparin e këtij sezoni artistik.
“Është hera e parë që vij në Shqipëri, kam punuar shumë me orkestrën, korin, ansamblin e solistëve në këtë teatër, mezi pres t’i paraqesim publikut shqiptar një produkt të kuruar dhe të bërë me shume pasion”, u shpreh Francesco Ommassini, dirigjent.
Nuk do të mungojnë as shfaqjet e Baletit si dhe Ansamblit Popullor nën drejtimin e Eni Blloshmit, zhvillohet edicioni i katërt i International Dance Festival, ku spikat një homazh për muzikën e Ennio Morricones dhe rikthimi i baletit të fundvitit, “Arrëthyesi”.
“Kemi fatin që këtë vit, që këtu në Teatrin e Operas t’a hapim festivalin me trupin e baletit. Në fund të dhjetorit kemi “Arrëthyesin”. U munduam të bëjmë më shumë shfaqje këtë vit nga kërkesat e shumta nga publiku, nga suksesi i madh që kishim nëpër botë, vitin që kaloi”, u shpreh Eni Blloshmi, koreograf
“Kalendari ynë, nga shtatori deri në dhjetor, në përmbyllje të gjithë sezonit është le të themi i larmishëm. Para që do të pasojë është aktiviteti dhe turneu i Ansamblit që do të vijë dhe pak ditë në Italinë e veriut”, deklaroi Sokol Marsi, drejtor artisik i Ansamblit.
Perdet e skenës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit do të hapen thuajse çdo fundjavë për publikun, përmes shfaqjeve të larmishme që do të interpretohen përgjatë këtyre muajve deri në fund të vitit.
/vizionplus.tv





