Një 26 vjeçar është vënë në pranga nga Policia pasi shpërndante kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit gjatë natës.
Arrestimi i 26-vjeçarit u bë pas mesnate në Rinas, ku Policia ndaloi automjetin që drejtohej nga i riu. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 107 gramë kokainë, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në doza gati për shitje.
Nga ana tjetër janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3180 euro dhe 48 000 lekë. I riu e siguronte lëndën narkotike dhe më pas e shpërndante në zona të ndryshme të Tiranës.
Ndërkohë në Vlorë, Policia ka zbuluar një kioskë të kthyer në një pikë shitjeje për lëndët narkotike.
Gjatë operacionit “tabachino”, agjentët e antidrogës vunë në pranga shtetasit Durim Bogdanaj, Kreshnik Veizaj dhe Altin Toto. Ata ishin të përfshirë në shitjen e kokainës dhe të kanabisit.
Policia sekuestroi dhjetëra doza kokaine, kanabisi si dhe paketa cigaresh pa pullë fiskale. Personat e arrestuar kishin përshtatur ambientet e tabacchino-ve për të kryer aktivitetin e paligjshëm.
Klientët ishin kryesisht të moshave të reja, ndërkohë që policia po vijon hetimet për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
/vizionplus.tv





