Subscribe

Këtë të martë, Tirana është zgjuar e blinduar. Disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit janë bllokuar për mbarëvajtjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

 

Në gatishmëri janë rreth 1500 forca policore, RENEA por edhe autoblinda,

 

Qarkullimi nuk kryhet normalisht në akset Rinas Qafë-Kashar, autostrada Tiranë-Durrës, sheshi ‘Shqiponja’, unaza e Astirit, Kopshti Botanik, rrethrrotullimi i Saukut, rrethrrotullimi te ‘Varrezat e Dëshmorëve’ dhe Rruga e Elbasanit. Në këto segmente nuk lejohet lëvizja e autobusëve dhe as parkimi i mjeteve.

 

Ndërsa këmbësorët, veç stafeve dhe personave të akredituar, nuk lejohen të kalojnë brenda perimetrit të sigurisë, që nis nga Kryeministria në drejtim të Pallatit të Kongreseve dhe përreth stadiumit ‘Air Albania’.

 

Bllokimi ka nisur që në orën 6 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 6 të pasdites.

 

Në ndërtesat pranë hyrjes së stadiumit ‘Air Albania’, masat e sigurisë janë në nivelin më të lartë të mundshëm. Mbi ndërtesa janë të vendosur edhe efektivë me snajperë, ndërsa bëhet monitorim edhe me helikopterë.

 

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” po ashtu ka një përqendrim të madh të forcave të policisë. Hyrja e bulevardit është e blinduar, për të mos lejuar as Partinë Demokratike që të zhvillojë protestën brenda perimetrit të sigurisë. Në hartimin e masave të sigurisë janë përfshirë edhe stafet e delegacioneve që do të vizitojnë Tiranën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *