Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar ti bëhet presion Serbisë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë Beograd.
Deklaratën, Kurti e bëri teksa u pyet për një marrëveshje të afërt me Serbinë pas një deklarate të bërë një ditë më parë nga presidenti amerikan, Donald Trump.
“Për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona është e domosdoshme që ata pikë së pari t’ua dorëzojnë autoriteteve të shtetit tonë Millan Radoiçiqin, kriminelin i cili na e vrau rreshterin policor, heroin e Kosovës, Afrim Bunjaku. Më pas, të pranojnë ta nënshkruajnë Marrëveshjen bazike me Aneksin e zbatimit. Njëkohësisht, ta tërheqin edhe atë letrën nga dhjetori i vitit 2023, kur ish-kryeministrja Bërnabiq ka thënë që nuk e respekton integritetin territorial të Kosovës”, tha Kurti.
Trump tha se gjatë mandatit të parë presidencial, Kosova dhe Serbia ishin duke shkuar drejt një përplasje të ashpër dhe ishte gati shpërthimi i një lufte.
“E ndalova (Biden i ka dëmtuar perspektivat afatgjata me disa vendime shumë idiote, por unë do ta rregulloj përsëri!)”, shkroi presidenti amerikan pa dhënë detaje të tjera.
Gjatë mandatit të parë të Trump, Kosova dhe Serbia arritën në Shtëpinë e Bardhë një marrëveshje për normalizim ekonomik. Marrëveshja që përfshiu edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli, nuk është zbatuar plotësisht.
Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve nuk është nënshkruar nga palët, për shkak të refuzimit të Serbisë por bashkimi Evropian insiston se marrëveshja është e detyrueshme për palët.
/vizionplus.tv





