Subscribe

Ndryshe nga çdo vit shkollor, mësuesit do të kalojnë në një filter vlerësimi psiko-social në mënyrë periodike.

 

Kjo vlen vetëm për ata arsimdhënës që raportohen si problematikë në sjellje me nxënësit, prindërit e tyre apo kolegët, si dhe për të gjithë mësuesit që do të punësohen për herë të parë në institucionet parauniversitare.

 

Kryetarja e grupit të hartimit të udhëzimit, Albana Çelaj shprehet se çdo vlerësim do t’i përcillet drejtorëve të shkollave dhe komisionit përkatës, të cilët do të japin vendimin përfundimtar për masën që do të ndërmerret.

 

ALBANA ÇELAJ

DREJTORESHË E BURIMEVE NJERËZORE, MASR

“Ishte një domosdoshmëri në arsimin parauniversitar sepse herë pas herë ka pasur raste, të cilat janë denoncuar nga mediat, por edhe nga prindërit dhe institucionet tona. Është parandaluese për mësuesit që hyjnë për herë të parë në punë. Do t’i kalojnë komisionit vetëm raste të cilat referohen, denoncohen. Vlerësimi i ardhur nga komisioni psiko social do t’i përcillet drejtorit të shkollës, ai do ta kalojë në komisionin e etikës dhe të disiplinës sepse janë ata që e japin masën për mësuesin.”

 

Përfshirjen e drejtuesve të shkollave, psikologëve apo të punësuarve të tjerë në komisionin e vlerësimit psiko-social eksperti Albano Zhapaj e sheh me shqetësim, duke nënvizuar se kjo metodë krijon hapësirë për subjektivitet në gjykim.

 

Ndonëse ministria e Arsimit është e vendosur për këtë nismë, mënyra e testimit nuk është e qartë, pasi procedura është në përgatitje e sipër edhe pse na ndajnë pak ditë nga fillimi i shtatorit.

 

Eksperti sugjeron si zgjidhje testimin e mësuesve para ushtrimit të profesionit, përndryshe të gjitha kualifikimet bien poshtë me vetëm 3 muaj komision. Për këtë, ai kërkon që të kthehen sytë nga fqinjët tanë.

 

Të gjithë bien dakord në një pikë: asnjë mësues nuk mund të quhet i tillë nëse nuk di të komunikojë dhe të kuptojë anën psikologjike të nxënësit.

 

ALBANA ÇELAJ

DREJTORESHË E BURIMEVE NJERËZORE, MASR

“Nëse mësuesi i shkakton stres apo dhunë psikologjike, verbale fëmijës gjatë gjithë kohës atëherë nuk mendoj se është një mësues i përshtatshëm për edukimin e fëmijës. Ata mësues që nuk e kalojnë vlerësimin psiko social, psikologjikisht nuk arrin të ketë një komunikim normal ,e fëmijët dhe natyrisht që nuk mund të jetë mësues.”

 

Në total janë rreth 2 mijë mësues të rinj që do t’i nënshtrohen çdo vit testimit psiko-social nga një komision i ngritur në çdo shkollë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *