Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se projektligji që adreson vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve do të shqyrtohet dhe pritet të miratohet në Kuvend më 17 shtator.
Pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla tha se projektligji është depozituar nga dy deputetë të Partisë Socialiste dhe është dorëzuar brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Në Kuvend ka 140 deputetë, por vetëm 2 deputetë të PS-së kanë dorëzuar një projektligj që adreson vendimin e Kushtetueses. Kështu po e ushtrojmë përgjegjësinë që na takon”, u shpreh Balla.
Ai theksoi se nisma do të shqyrtohet me prioritet, por jo me procedurë të përshpejtuar.
“Projektligji është depozituar brenda afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe do të shqyrtohet me prioritet. Është një projektligj që nuk shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar”, tha ai.
Duke komentuar debatet rreth pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Balla mbrojti kompetencën e Kuvendit për përcaktimin e pagave, duke iu referuar parimit të ndarjes së pushteteve.
“Si qytetar mendoj se, në një shtet demokratik, me ndarje të pushteteve, kompetenca për caktimin e pagave është vetëm e Kuvendit. Prisni të flasë Kuvendi”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Balla foli gjithashtu për prioritetet e mazhorancës në sesionin e ri parlamentar, duke veçuar reformën territoriale dhe reformën zgjedhore.
“Themeli i punës për këtë shumicë është miratimi i reformës territoriale dhe miratimi i një reforme zgjedhore që të adresojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të garantuar në kohë marrjen e masave për zgjedhjet vendore të 2027-s”, tha Balla.
Sipas tij, një tjetër element i rëndësishëm është komunikimi i deputetëve me qytetarët dhe adresimi i problematikave të tyre përmes kanaleve zyrtare.
“Është shumë e rëndësishme që deputeti, çdo problematikë, çdo hall të qytetarëve ta adresojë përmes kanaleve që i përcaktohen zyrtarisht”, u shpreh ai.
Balla deklaroi se mazhoranca synon një mënyrë të re komunikimi me qytetarët gjatë mandatit të katërt të saj, duke iu referuar edhe nismës “Prania Besnike”.
“Në këtë mandat të katërt kemi një kthesë historike për komunikimin me qytetarët”, tha Balla.





