Tedi Blushi i përgjigjet Ramës: Meta i qëndron besnik reformës në drejtësi, mos e provoko popullin!

E menjëhershme ishte përgjigja e Presidencës pas akuzave të kryeministrit Edi Rama se presidenti Ilir Meta është pozicionuar dukshëm kundër reformës në drejtësi. Në “Facebook”, zëdhënësi i Presidencës, Tedi Blushi e mohoi diçka të tillë. Blushi akuzoi Ramën se është ai që po tenton të kapë reformën në drejtësi.
“Drejtësinë koreanoveriore të “gruas” së Bilalit, shqiptarët e kanë provuar për 50 vite, ndaj çdo certifikatë të “zonjës Bilali”, do ta hedhin në koshin e plehrave. Ilir Meta i qëndron besnikërisht Reformës në Drejtësi të bërë me 140 vota në Kuvend, falë këmbënguljes së Tij kur ishte Kryetar i Kuvendit dhe këtë e dinë mirë të gjithë shqiptarët. Drejtësinë e re, që se kapi dot me Kushtetutë, “gruaja” e Bilalit e kapi me ligje antikushtetuese, që vazhdon t’i miratojë dhe sot. Të mos ketë merak se më 25 prill do ta marrë vlerësimin e merituar nga mbarë populli i Shqipërisë. Drejtësia e pavarur do vijë vetëm nga vota e lirë dhe e shenjtë. Kush prek votën e lirë do t’i pritet dora bashkë me thonjtë, që kanë kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë.”
Tedi Blushi paralajmëroi Edi Ramën se do të përballet me drejtësinë për shkak të zullumeve që ka kryer.
““Gruaja” e Bilalit më kot harxhon para me lobistë për deklarata, certifikata dhe sondazhe të rreme. Bën mirë, që lekët e vjedhura t’i kursejë për të paguar avokatët mbrojtës, kur të japë llogari para drejtësisë. Mos e provoko popullin e 2 Marsit se është shumëfishuar në një vit falë zullumeve të shtuara edhe në kohë pandemie!”




