Një tempull i artit që ka qëndruar i palëkundur për tetë dekada. Teatri Kombëtar festoi 80-vjetorin e tij si një nga institucionet më të rëndësishme të kulturës dhe identitetit kombëtar.
Në këtë përvjetor, u rikujtua roli i pazëvendësueshëm i të gjithë plejadës së artistëve në formësimin e skenës shqiptare, në edukimin estetik të brezave dhe në ruajtjen e gjallë të fjalës artistike.
Në këtë ditë feste, siç e quajnë vetë artistët, u reflektua gjithashtu mbi sfidat që presin në të ardhmen.
“Për të gjithë ka vlerën shpirtërore, emocionale të vetën, duke filluar nga gjenerata e parë, që me aq sinqeritet, brishtësi ndërtuan dhe bërthamën. Me problemet që ka pasur vitet e para 90-s, me problemet që prap ka”, tha aktori Ndriçim Xhepa.
“Kjo festë që ne po organizojmë sot, i bën mirë, për t’u thënë të gjithëve që teatri është i rëndësishëm”, u shpreh aktori Artan Imami.
Gjatë ceremonisë të këtij jubileu, aktorë që lanë gjurmët e tyre në skenë, kanë ndarë emocionet dhe reflektimet e tyre mbi rëndësinë e Teatrit, por dhe vështirësitë e hasura gjatë këtij rrugëtimi.
Nga ana tjetër Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacioni, Blendi Gonxhja, theksoi angazhimin për të adresuar të gjitha sfidat me qëllim që skena teatrore të përparojë.
“Ne tani po njihemi me investime shumë të rëndësishme, me modernizim shumë të rëndësishëm të infrastrukturës kulturore, të investimeve të reja që ne po kryejmë”, tha Blendi Gonxhja.
Teksa Teatri Kombëtar feston 80-vjetorin, prej 5 vitesh artistëve u mungon skena e mirëfilltë e këtij institucioni, i cili pritet të rijetësohet pas pak vitesh.
Ndaj edhe ky përvjetor u bë te Arturina, ku u përfshinë shfaqje të veçanta retrospektive, dhe u rikthyen në skenë vepra klasike e bashkëkohore, që kanë shënuar historinë e teatrit.
Nuk munguan as fotot nga arkiva që mbeten një dëshmi e gjallë e gjithë rrugëtimit të teatrit që nga nisja e zanafillës së tij në 17 maj 1945.
/vizionplus.tv





