“Në Shqipëri muk mjafton as një jetë për të marrë drejtësi. Ndoshta as shtatë. Në dorë kam certifikatat e vdekjes së disa njerezve që u larguan nga kjo botë pa marrë mbrapsht pronen, apo pensionin e tyre, siç kanë pretenduar”.
“Mund të jenë 20- 30 veta tetraplegjikë. Një VKM e 2005- 2010 të cilëve u jep nga një shtesë page me 50 mijë lekë të vjetra në muaj. Këtë pagë nuk ia ka dhënë shteti dhe ai në gjyq merr 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra, 1200 euro. Për këtë gjyq duhet të aktivizohet avokati, eksperti dhe përmbaruesi për ekzekutimin. Për të marrë 1 milionë e 200 mijë harxhohen edhe 2 milionë të tjera dhe vlera ka shkuar 12 milionë euro që shteti i detyrohet qytetarëve. Personi ka ndërruar jetë dhe s’ka më”, thotë avokati Ndue Pjetra.
Edhe më themeltare është çështja e pronave, thotë avokati Ndue Pjetra.
“Urgjente janë pronat. Proceset e pronave janë të pazgjidhura në asnjë gjykatë në Shqipëri. Çuditërisht shteti jonë krijon Agjencinë e Trajtimit të Pronave në kundërshtim me çdo ligj në botë dhe i thotë qytetarit do më sjellësh një dokument këtu, një aty. Qytetari për të marrë këtë dokument paguan 10 lekë. E kanë krijuar mënyrën e korrupsionit që detyrimisht palët t’i drejtohen korrupsionit, jo gjykatave dhe institucioneve”, thekson Pjetra.
Përfaqësuesi ligjor tregon se ka edhe raste të zgjidhjes së martesave që nga 2018.
“Sot ata nuk kanë arritur të marrin vendimin përfundimtar. Qoftë gruaja, qoftë burri bashkëjetojnë me persona të tjerë dhe kanë lindur fëmijë. Je martuar te gjendja civile me një firmë? Atëherë shkoni bëni marrëveshjen dhe ndahuni aty. Nëse nuk doni të ndaheni me të mirë, atëherë shkoni në procese gjyqësore”, thotë avokati.
Në sistemin tonë gjyqësor aktualisht mungojnë mbi 100 gjyqtarë, vakanca këto të shkaktuara nga reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut. Apeli i vetëm në vend ka mbi 38 mijë dosje, ndërsa nga 78 anëtarë të trupave gjykuese kanë mbetur 31./vizionplus.tv





