Kryeministri Edi Rama bëri të ditur gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë mengjësin e kësaj të shtune se do ti bëhet një thirrje të gjithë ndërtuesve të cilët kanë apartamente stok për ti blerë shteti për llogari të personave të cilët kanë mbetur të pastrehë nga tërmeti I fortë I 26 nentorit.
Po përgatitet edhe thirrja për blerjen e apartamenteve. Është e rëndësishme të informohet publiku që do të bëjmë një thirrje për ata që kanë apartamente stok, por me një çmim të ulët. Të gjithë ata që disponojnë stok duhet ta dinë që nuk është rasti për pazar dhe nëse do marrim çmimin në tavan të ulët që do të përcaktojmë sipas analizave të tregut do të procedojnë, përndryshe nuk do të procedojmë.
Por Rama shtoi në këtë drejtim se Durrësi edhe nëse do të kërkohet kjo zgjidhje është problem pasi ndryshe nga Tirana, nuk ka shumë apartamente stok.
Kreu i qeverisë në fakt është kthyer tek propozimi që bëri gjatë mbledhjes së Komitetit të Rindërtimit pak ditë më parë kreu i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqiperisë, Artan Dulaku.
Ai propozoi si zgjidhje më të shpejte dhe efikase në funksion të të pastrehëve, tryezën mes ndërtuesve, qeverisë dhe sistemit bankar për apartamentet stok duke deklaruar se në këtë rast ështe normale që nje situatë të tillë fatkeqësia do të ketë fleksibilitet dhe mirëkuptim edhe nga vetë ndërtuesit.
Unë sugjeroj të shikohet mundësia që të bëhet një tavolinë trepalëshe, mes qeverisë, sistemit bankar dhe atyre që posedojnë këto apartamente që e kalojnë atë stresin e tërmetit dhe të gjendet një zgjidhje e shpejtë. Në këtë mënyrë, në një periudhë shumë të shkurtër ne mund t’i japim zgjidhje asaj që është plaga e banesave të ndërtuara, tha në tryezën e organizuar nga qeveria pak ditë më parë Artan Dulaku.