Subscribe

Policia e Durrësit hoqi nga rrugët e qytetit disa kamera sigurie të vendosura nga grupet kriminale.

 

Aksioni u shtri në gjithë qarkun ndërsa në total u zbuluan 47 kamera sigurie dhe u vendosën nën hetim 8 persona. Pajisjet monitoruese ishin vendosur në kundërshtim me ligjin kryesisht nga pjesëtarët e disa grupeve kriminale që veprojnë në këtë zone, por edhe nga banorë.

 

Në qytetin e Durrësit u çmontuan 11 kamera në lagjen numër 6 dhe 17. Ato ishin montuar më së shumti nga Plarent Dervishaj, kreu i grupit kriminal që urdhëroi atentatin ndaj ish prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja dhe që është në kërkim nga SPAK.

 

Po ashtu disa nga këto pajisje vëzhguese ishin instaluar nga Dejvid Karaboja, për të cilin nisën hetimet.

 

Në Shijak u çmontuan 18 kamera në lagjen e “Keçeve” dhe në lagjet “Popullore”, “Kodër Sukth” dhe “Partizani”, të vendosura nga 6 persona. Sipas policisë, shumë prej pajisjeve u zbuluan në banesën e Albert Muharremti, vëllait të Rrumit të Shijakut si dhe në zonën ku vepron grupi i Avdylajve.

 

Kamera sigurie të montuara në shtylla përgjatë akseve rrugore si dhe në ndërtesa të ndryshme u zbuluan edhe në disa lagje të Qytetit të Krujës si dhe në fshatin problematik të Niklës. Por ende nuk dihet se kush i ka instaluar ato.

 

Burime të policisë bënë të ditur se po verifikohen jo vetëm kamerat e instaluara përgjatë akseve rrugore por edhe ato të bizneseve pasi dyshohet se serverat e tyre mund të përdoren nga eksponentë të krimit të organizuar për të monitoruar lëvizjet rreth zonave të caktuara.

 

Operacioni i policisë u shtri dhe në juglindje, ku janë çmontuar 31 kamera, të vendosura në Korçë e Pogradec si dhe në disa fshatra të këtyre bashkive.

 

Mësohet se disa prej kamerave të hequra në Pogradec nga agjentët i përkasin personave me probleme me drejtësinë. Ndërkohë të tjerat ishin instaluar pa leje nga ana e banorëve por dhe bizneseve.

 

Deri më tani në Shkodër janë hequr 59 kamera sigurie nga policia dhe 16 të tjera në Vlorë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *