Besimtarët katolikë dhe ata ortodoksë festojnë këtë të diel Pashkën, e cila këtë vit përkon në të njëjtën ditë për të dy besimet fetare.
Arqipeshkvi i Shkodrës, në mesazhin e tij, bëri apel për më shumë shpresë dhe për një jetë më të mirë:
“Këtë vit, Kisha Katolike po përjeton një Vit Jubilar, që ka si temë ‘Shtegëtarë të Shpresës’. Në këtë kontekst, festa e Pashkës merr një domethënie edhe më të thellë. Krishti i ringjallur është themeli i shpresës sonë dhe burimi i çdo rilindjeje të re.
Në një botë të plagosur nga pasiguritë, konfliktet dhe frika për të ardhmen, ne jemi të ftuar të jemi dëshmitarë të shpresës që nuk zhgënjen.
Si bij dhe bija të dritës, të frymëzuar nga Pashka dhe të udhëhequr nga shpirti i këtij Jubileu, le të bëhemi shenjë shprese në vendin tonë – arsye e shpresës për ata që vuajnë, për ata që kanë humbur orientimin dhe për ata që ndihen vetëm”, tha Arqipeshkvi i Shkodrës.
Arqipeshkvi i dioqezës së Shkodrës pati edhe një mesazh për zgjedhjet parlamentare të 11 majit:
“Në këtë kohë Pashke, vendi ynë po përgatitet të përjetojë një moment të rëndësishëm në jetën e tij politike dhe shoqërore me zgjedhjet e ardhshme. Qofshin këto zgjedhje një ringjallje e vërtetë për mbarë vendin. Shumë njerëz vendosin shumë shpresa në këto zgjedhje dhe nuk mund të zhgënjehen. Shqipëria ka nevojë për një zgjim të madh një zgjim të ndërgjegjes morale, një gjallërim të jetës shoqërore, një ndryshim të thellë në politikë dhe një rigjallërim të shpirtit kulturor. Ky vend meriton të besojë në një të ardhme më të mirë, dhe ata që mbajnë pushtetin kanë përgjegjësi ta realizojnë”, tha ai.
Festa e Pashkës është zemra e festave të të krishterëve. Alleluja! Krishti u Ngjall – me të vërtetë u Ngjall!





