Subscribe

Në një klimë të tensionuar politike, parlamenti mblidhet paraditen e së hënës për të votuar Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm. Mes tre kandidaturave të përzgjedhura nga Komisioni parlamentar i Ligjeve, Ferdinand Elezi, Arta Marku dhe Ermira Tafani, do të votohet për pasuesin e Adriatik Llallës në krye të organit të akuzës. Këto tre emra, mes 7 kandidaturave, plotësonin kriteret ligjore, për të drejtuar përkohësisht Prokurorinë e Përgjithshme, deri në ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Vetëm në këtë moment do të rinisë procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, i cili sipas Kushtetutës do të ketë një mandate 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje.

 

Mazhoranca shkon në këtë seancë plenare, e vendosur për të zgjedhur kryeprokurorin e përkohshëm, edhe pasi mori opinionin e misioneve ndërkombëtare OPDAT dhe EURALIU, që asistojnë ligjërisht Shqipërinë. Sipas tyre, Parlamenti ka të drejtë të zgjedhë drejtuesin e përkohshëm të Prokurorisë dhe për ta bërë këtë nevojitet shumicë e thjeshtë votash.

 

Por, opozita nga ana e saj konsideron se një votim i tillë bie ndesh me Kushtetutën e miratuar me konsensus absolut, pasi në ligjin themeltar nuk përmendet në asnjë rresht nocioni i “Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm”. Madje shton se kryeprokurori zgjidhet nga Kuvendi vetëm pasi kalon filtrin e KLP-së dhe për këtë nevojiten 84 vota. Pavarësisht qëndrimeve të kundërta, Parlamenti do të mblidhet të hënën në orën 10.00 për të votuar zgjedhjen e Prokurorit të Përkohshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *