Në Shqipëri po hyn në fazën e fundit një nga reformat më të rëndësishme fiskale të decades, ajo e taksës së re të pasurisë së paluajtshme. Projekti “ProTax Albania” për herë të pare do të mundësojë një taksim mbi vlerën reale të tregut dhe jo mbi çmimet e vjetra, një sistem që ka prodhuar padrejtësi dhe të ardhura minimale për bashkitë.
Të gjitha pagesat do të shkojnë drejtpërdrejt në bashki. Qëllimi është i qartë, të rriten të ardhurat vendore, të ketë më shumë investime lokale dhe më shumë shërbime për qytetarët, nga ndriçimi publik te rrugët dhe hapësirat e gjelbra.
Agron Haxhimali nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë shpjegoi rëndësinë e kalimit të sistemit të taksimit të pronave në Shqipëri nga çmimet reference drejt vlerës reale të tregut.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, ai thekson se ky është një hap drejt një taksimi më të drejtë dhe më të barabartë.
Gjithashtu, Haxhimali nënvizoi sfidat që lidhen me mungesën e një databaze të plotë të pronave dhe administratën e papërgatitur.
Haxhimali shpreh optimizmin se, me përkushtim dhe seriozitet, reforma mund të jetë e zbatueshme brenda tre deri katër viteve.
INTERVISTA E PLOTË:
A janë konsultuar grupet e interesit apo aktorët e kësaj fushe, ndër të cilët jeni dhe ju?
Haxhimali: Ka pasur konsultime të herëpashershme lidhur me ndryshimin e sistemit të taksimit të pronave. Pra, ka disa vite që diskutohet të ndryshonte VKM-ja 132 2018 për taksimin e pronave siç e kemi aktualisht me çmime reference, për të kaluar tek taksimi bazuar në vlerën e tregut. Ishte planifikuar që viti 2026 ta gjente Shqipërinë në një sistem të ri të taksimit bazuar në vlerën e tregut.
Projekti do të mundësojë një taksim mbi vlerën reale të tregut dhe jo mbi çmimet e vjetra. Çfarë do të thotë kjo? Kush do ta përcaktonte këtë vlerë?
Haxhimali: Kam shkruar, kam diskutuar, kam debatuar gjatë dhe i përkas faktit që taksimi bazuar në vlerën e tregut është metoda më e mirë, më e drejtë, më reale, më e barabartë dhe është metodë që zbatohet në mjaft vende.
Si del kjo vlerë reale, zoti Haxhimali? Kush e nxjerr? E nxjerr një ent shtetëror?
Haxhimali: Jo, jo, po enti shtetëror na e nxjerr sot. Enti shtetëror është modeli që kemi sot. Kemi çmimet e referencave.
Atëherë konkretisht, si?
Haxhimali: Atëherë, do ta jap me një shembull. Le të themi, kemi një shtëpi tek zona e Brylit. Me çmimet e referencës, çmimi që ka vendosur qeveria për taksim është, le të themi, 1000 euro metri katror. Por në realitet, është e qartë që vlera reale e kësaj shtëpie po të shitet nuk është 1000 euro për metër katror.
Kush e shpall këtë vlerë?
Haxhimali: Vlerën reale e përcakton një metodologji që bazohet nga shitjet, blerjet, transaksionet e pronave, nga zyrat hipotekore dhe noteriale. Pra ka metodologji që e përcaktojnë qartë këtë punë dhe nuk është ky shqetësimi për hir të së vërtetës. Shqetësimi për mua, që nuk doli sot në këtë konferencë, ishte problemi që kemi me sistemin e pronave në Shqipëri. Ne nuk e kemi databazën e të gjithë pronave të paluajtshme të pasurive në Shqipëri, të populluar siç duhet dhe të integruar në atë që quhet sistemi kadastral. Secila nga 61 bashkitë duhet ta kishte në sistemin e tij, në mënyrë që si vetë bashkitë për arsye administrative, por edhe qytetari, me një klikim, të gjejë pronën e vet, pasaportën e pronës së vet, kur është ndërtuar, sa e ka koeficientin e amortizimit, sa është me çmimin e referencës, sa është për t’u taksuar. Shqipëria ka ngelur shumë mbrapa në këtë aspekt. Edhe në rajon, jemi më të prapambeturit për të pasur databazën e plotë të regjistrimit të pronave të paluajtshme. Kjo ka ardhur si pasojë e problemeve, pasi kemi gati 20% të ndërtimeve që nuk kanë dokumentacionin e rregullt dhe kjo vë në vështirësi bashkitë për t’u mbledhur të ardhurat. Ligji parashikon edhe masa të tjera lehtësuese për bashkitë, që thotë: pavarësisht që prona nuk ka të dhëna, ju mund ta taksoni me çmimin e prezumimit. Pra, në qoftë se nuk kuptohet nëse prona është 110, 60 apo 90 m², bashkia mund të përcaktojë një sipërfaqe të prezumuar, 70 m² në qoftë se shtëpia është e ndërtuar para vitit ’90, ose 100 m² në qoftë se shtëpia është ndërtuar pas vitit ’90. Në këtë aspekt, jemi shumë mbrapa dhe prandaj kemi atë rezultatin e të ardhurave shumë të ulët.
A besoni ju se kjo mënyrë që ka zgjedhur qeveria dhe që po thotë se nga sot deri në vitin 2028 do të bëhet operative/operacionale, a besoni se jemi në rrugën e duhur?
Haxhimali: Patjetër që besoj, pse të mos besoj? Unë jam kritik që nuk është realizuar, pasi është hedhur në diskutim para dy vitesh. Pse, Shqipëria është India apo Kina? Ne jemi 2.4 milionë banorë. Edhe sikur të kemi të gjithë nga një prone, duke thënë 2.4 milionë prona/shtëpia dhe të quajmë që kemi dhe 1 milion ndërtime për biznes, a është kaq e pamundur për një administratë qendrore dhe lokale të bëjë verifikimin dhe identifikimin e pronave të paluajtshme? Ne nuk jemi seriozë si administratë. Pra, nëse punohet seriozisht, besoj që afatet mund të arrihen, hapësira kohore prej tre-katër vitesh është e mjaftueshme.
/vizionplus.tv





