Subscribe

Kryeministri, Edi Rama, shpreson që takimi Kurti-Vuçiç, që pritet të mbahet këtë të mërkurë, të konkludojë në lajme pozitive në ndihmë të dialogut mes dy vendeve.

 

Ai thekson se ky takim nuk duhet të jetë një tjetër ‘xhiro’ e liderve të dy vendeve për të gjetur faj tek njëri-tjetri.

 

“Sot, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen në Bruksel dhe unë, si gjithnjë, lutem që mos të jetë një tjetër xhiro bosh, për një tjetër përsëritje të këngës “fajin e ka tjetri”. Pavarësisht lidhjeve tona të ngushta dhe marrëdhënies unike ndoshta në botë me Kosovën, si shteti tjetër shqiptar në kufi me Shqipërinë, ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi të përputhur plotësisht në linjën e përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për të realizuar planin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Jo sepse aletatët tanë të mëdhenj strategjikë kanë gjithnjë, medoemos, të drejtë, po sepse deri më sot ata nuk kanë qenë asnjëherë gabim në kërkesën e tyre ndaj të dyja vendeve, e së fundmi Kosovës veçanërisht”, thekson ai.

 

 

Duke rikujtuar qëndrimin e Tiranës zyrtare ndaj veprimeve të qeverisë Kurti, kryesocialisti thekson se ndonëse do të merrte sërisht të njëjtat vendime, nuk sheh Kosovën si të vetmen fajtore në rritjen e tensioneve.

 

“Por më duhet ta ritheksoj, se sa më lart nuk do të thotë aspak se Shqipëria e sheh Kosovën si të vetmen përgjegjëse për futjen e dialogut në qorrsokak. Assesi jo. Kosova bëri një hap të konsiderueshëm në drejtimin e shumëpritur, duke e pranuar planin franko-gjerman pa referencë për njohjen reciproke dhe duke pranuar po ashtu, propozimin e vetë-menaxhimit për komunitetin serb. E kam duartrokitur menjëherë Albin Kurtin për këtë hap edhe publikisht, jo vetëm personalisht. Tani është koha që edhe Serbia të dalë nga llogorja e asburdit të mohimit të realitetit dhe të veprojë në mirëbesim, duke mundësuar një sekuencë zbatimi që i përmbush nevojat e të dyja palëve në kuadër të planit franko-gjerman”, tha ai.

 

Sipas tij, ‘taktikat’ që dy liderët e vendeve po ndjekin mbeten të padeshifrueshme dhe nuk i shërbejnë dialogut.

 

 “Dyshoj se strategjia e Beogradit është të vonojë proçesin dhe të përfitojë sa më shumë nga taktikat vetëdëmtuese të Prishtinës, të cilat e kanë ndihmuar vijimësisht viktimizimin e Serbisë ne arenën e ndërkombëtare.

 

Fatkeqësisht po ashtu, disa harrojnë se nuk jemi më në vitet ‘90 të shekullit të kaluar. Shqipëria është për paqe, pajtim, ardhmëri të përbashkët dhe pikë. Por megjithatë, nëse gjërat shkojnë keq, Shqipëria dhe shqiptarët janë me Kosovën, e këtë s’e luan topi. Thënë kjo, unë me sinqeritet shpresoj që të gjithë të përfshirët në procesin e normalizimit të jenë të vetëdijshëm për atë çfarë që luhet sot mes Kosovës e Serbisë dhe të kuptojnë dreqi e mori, që çdo alternativë tjetër, përveç zbatimit të menjëhershëm, gjithëpërfshirës, të marrëveshjes mbi planin franko-gjerman në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë është lojë me zjarrin, ku kush luan do të digjet i pari, po akoma më keq, në fund do të përvëlohet krejt rajoni, po nuk do të shpëtojë pa u përcëlluar edhe vetë Europa.

 

Përfundimi i suksesshëm i procesit të normalizimit të Kosovës e Serbisë janë parësore për paqen dhe sigurinë rajonale, po edhe për sigurinë e vetë Europës”, thekson ai.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të takohen “kokë më kokë” për herë të parë pas tensioneve në veri. Ky takim u ndërmjetësua nga shefi i diplomacisë europanie, Josef Borrell.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *