Subscribe

Kanë nisur përgatitjet për takimin e kryeministrit Edi Rama me shqiptarët e Italisë. Ai do të zhvillohet në pallatin e lojrave me dorë “Palayamamay” në Milano.

Inxhinieri Esat Balla një prej 700 mijë shqiptarëve që jeton në vendin fqinj dhe drejtues i shoqatës “Diaspora 91-19” vlerëson se takimi i posaçëm i Edi Ramës me diasporën vjen në një çast të rëndësishëm të sfidave me të cilat ata përballen. Dhe ato janë:

“Sfidat me të cilat përballen jane zbatueshmëria e zbatimit të strategjisë kombëtare të diasporës  2021-2025, përmirësimi i shërbimeve dhe mbështetjes, integrimi dhe ruajtja e identitetit kombëtar dhe kulturor, pjesëmarrjë na zhvillimin ekonomik, përfaqësimi politik, mbështetja për sipërmarrjne, fuqizimi i diasporës dhe përdorimi i remitancave për zhvillimin e Shqipërisë”, u shpreh drejtuesi i shoqatës “Diaspora 91-19” Esat Balla.

Mundësimi i votimit të diasporës nga aty ku jeton është kërkesa e papërmbushur nga politika dhe për këtë arsye edhe shqiptarët e Italisë kërkojnë që ajo në parlamentaret e 2025-ës të jetë një premtim i mbajtur.

“Kjo është një e drejtë legjitimi e çdo qytetari në gjithë botën. Në mendimin tim përfaqësimi i diasporës duhet të jetë në raport të drejtë me PBB që diaspora jep dhe nëse do të ketë përfaqësuesit e vetë mos të jetë në bazë të sasisë së njerëzve, por të sasisë së trurit që diaspora ka”, tha Balla.

Për Esat Ballën që Italia është atdheu i dytë, ardhja e kryeministrit vetëm për diasporën është mirëpritur nga shqiptarët e Italisë. Ai thotë se pjesëmarrja do të jetë e lartë, por ai vetë ende nuk e ka vendosur nëse do të jetë në “Palayamamay” në Milano të dielën.

“Në qoftë se Edi Rama do të ndjekë të njëjtën strategji që ndoqi edhe në Greqi, nuk besoj se do të ketë të njëjtin sukses, sepse ndryshe nga emigrantët e Greqisë, Italia ka shqetësime të tjera dhe do të ishte më shumë efikase sikur të kishte dialog me kryeministrin, në vend që të fliste vetëm kryeministri. Preferojë më mirë ta ndjek nga televizioni, sesa të shkojë atje”, tha drejtuesi i shoqatës “Diaspora 91-19”.

Italia është ndalesa e dytë e kryeministrit Edi Rama me diasporën pasi asaj të Greqisë./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *