Dymbëdhjetë ditë pas debatit që mund të konsiderohet si një nga më të polemizuesit në historinë moderne amerikane, presidenti i SHBA, Joe Biden po “lufton” për mbijetesën e tij politike nën një survejim intensiv të brendshëm dhe global.

Samiti i NATO-s i kësaj jave në Uashington mund të jetë rruga e tij drejt shpëtimit apo “fundosjes” së tij politike.

Biden ka replikuar kritikët e tij, ka kërkuar mandatin e votuesve paraprakë demokratë dhe ka sfiduar kundërshtarët që të ecin përpara dhe të përpiqen ta mundin atë.

Ai ka premtuar në mënyrë të përsëritur se po ecën përpara me fushatën e tij dhe se koha për të rimenduar kandidaturën është ezauruar.

“Testi” i radhës për të duket se do të jetë samiti i NATO-s.

Biden do të presë liderët e aleancës për tre ditë takime dhe ngjarje publike që kulmojnë në një konferencë për shtyp të enjten pasdite.

Është një skenë në të cilën Biden, një njeri i aftë për marrëdhëniet me jashtë, duhet të jetë komod dhe i relaksuar, teksa “sytë e botës” janë mbi të. Por në një kohë që presioni është i madh, komoditeti mund t’i lërë vendin pasigurive, duke sjellë një tjetër paraqitje të dobët që i bashkohet “serive” të dështimit të presidentit amerikan.

Paraqitja e dobët mund të theksojë gjithashtu shqetësimet nga aleatët evropianë, të cilët janë të tensionuar për gjasat në rritje të një presidence të Donald Trump dhe ndryshimet dramatike të politikës së jashtme që do të vinin me të.

Sytë do të jenë te presidenti i SHBA-së ndërsa ai merr pjesë në seancat e samitit, pret liderë të huaj në Shtëpinë e Bardhë dhe angazhohet në takime dypalëshe me liderët kryesorë, duke përfshirë kryeministrin e sapozgjedhur britanik, Keir Starmer.

Edhe pas dyerve të mbyllura të takimeve të NATO-s, komentet për performancën e Biden patjetër që do të bëhen të ditura.

Liderët e huaj të shqetësuar

Kuptohet se shumë liderë evropianë janë të shqetësuar për Trumpin dhe strategjinë e tij të politikës së jashtme. Ish-presidenti ka përçmuar aleancat ndërkombëtare shumëpalëshe.

Biden përballet me një detyrë edhe më të lartë këtë javë brenda vendit. Presidenti ka vënë në dukje mbështetjen dhe zgjerimin e NATO-s përballë agresionit rus si një nga arritjet e tij kryesore.

Kjo është diçka që e dallon lidershipin e tij nga ai i Trump, si dhe çdo demokrat që mund ta zëvendësojë atë në fletëvotim, teksa samiti do të jetë shansi i tij për ta ekspozuar atë për publikun amerikan.

“Kush do të jetë në gjendje ta mbajë NATO-n të bashkuar si unë?” tha presidenti në intervistën e tij me George Stephanopoulos të ABC-së të premten. Ai shtoi se samiti i NATO-s do të ishte një mënyrë e mirë për të gjykuar aftësitë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *