Kombëtarja shqiptare e futbollit ka hyrë në fazën më të rëndësishme të përgatitjeve për duelin kualifikues të Kupës së Botës, kundër Serbisë, të shtunën, në Arenën Kombëtare në Tiranë.
Në dy ditët e para të javës anti-Serbi grupi i lojtarëve ka qënë në plotësim e sipër.
I vetmi lojtar që ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe nuk ka punuar me pjesën tjeter të grupit është Rei Manaj i cili është duke kaluar një gjendje gripale.
Stafi mjekësor i kuqezinjve shpreson që sulmuesi lushnjar të rikuperohet sa më shpejt ne mënyrë që të jetë në kushtet që të zhvillojë të paktën 2-3 seanca para ndeshjes kundër serbëve.
Manaj është potencialisht një lojtar që mund ta nisë nga minuta e parë në qëndër të sulmit, ndaj ka shumë rëndësi kjo situatë për trajnerin Silvinjo.
Ky i fundit ka disa dilema që lidhen me formacionin për krahun e djathtë të mbrojtjes, mesin e fushës dhe krahun e majtë të sulmit, por gjithçka do të varet nga forma fizike e futbollistëve.





