Një gjykatë në Fixhi vendosi që një superjaht në pronësi ruse të hiqet nga ujrat e këtij shteti ishull të Paqësorit nga Shtetet e Bashkuara, sepse ishte një humbje parash për Fixhin për të mirëmbajtur anijen, ndërsa vazhdojnë përplasjet ligjore për konfiskimin e tij.
Grupi i punës KleptoCapture në Departamentin amerikan të Drejtësisë është përqëndruar në sekuestrimin e jahteve dhe pasurive të tjera luksoze të oligarkëve rusë në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për luftën në Ukrainë.
Jahti Amadea, 106 metra i gjatë, mbërriti në Fixhi më 13 prill pas një udhëtimi 18-ditor nga Meksika. Ai u sekuestrua nga autoritetet e Fixhit pasi Gjykata e Lartë e vendit miratoi një fletëporosi të Shteteve të Bashkuara muajin e kaluar që lidhte jahtin me oligarkun rus të sanksionuar Suleiman Kerimov.
FBI-ja ka thënë se anija luksoze prej 300 milionë dollarësh kishte kosto funksionimi prej 25 deri në 30 milionë dollarë në vit dhe Shtetet e Bashkuara do të paguanin për mirëmbajtjen e anijes pasi të kapej.
Sidoqoftë, qeveria e Fixhit e ka përballuar faturën ndërsa një apel nga pronari i regjistruar i anijes, kompania Millemarin Investments, po shqyrtohet në gjykatat e Fixhit.
Gjykata e Lartë vendosi të martën se interesi publik kërkon që jahti “të lundrojë jashtë ujërave të Fixhit”, sepse sipas vendimit, ankorimi i tij në Fixhi po “i kushtonte shtrenjtë qeverisë së Fixhit”.
Anija “lundroi në ujërat e Fixhit pa asnjë leje dhe me shumë mundësi për t’iu shmangur ndjekjes penale nga Shtetet e Bashkuara”, shtoi gjykata. Shtetet e Bashkuara pretendojnë se zoti Kerimov është pronari i jahtit Amadea, megjithëse avokatët e anijes e kanë mohuar këtë dhe i thanë gjykatës se ishte në pronësi të një oligarku tjetër rus, Eduard Khudainatov, ish-shefi i gjigantit rus të energjisë Rosneft, i cili nuk është sanksionuar.
Muajin e kaluar, një tjetër jaht luksoz me vlerë rreth 700 milionë dollarë që thuhet se është në pronësi të Khudainatovit, u sekuestrua nga policia në Itali. FBI-ja tha në fletëporosinë e sekuestrimit se jahti Amadea ishte përpjekur të shmangte kapjen “pothuajse menjëherë” pasi trupat ruse hynë në Ukrainë, duke fikur sistemin e automatizuar të gjurmimit më 24 shkurt.
Avokati i anijes, Feizal Haniff, nuk pranoi të komentojë mbi vendimin.
“Vendimi njeh angazhimin e Fixhit për të respektuar kërkesat ndërkombëtare të ndihmës reciproke dhe detyrimet ndërkombëtare të Fixhit”, tha në një deklaratë Drejtori i Prokurorisë Publike të Fixhit, Christopher Pryde.
Ai tha se gjykata ra dakord që “çështjet në lidhje me pastrimin e parave dhe pronësinë” duhet të vendosen në SHBA, ku janë ngritur akuzat fillestare.
“Amadea u është dorëzuar autoriteteve amerikane dhe tani do të largohet nga Fixhi”, shtoi ai.
Ambasada amerikane në Suva nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./VOA