Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona dhe ka proceduar penalisht 2 të mitur, pas një incidenti të ndodhur pas mesnate në aksin rrugor “Qafë Kashar – Rinas”.
Sipas hetimeve, 5 shtetas kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve dhe kanë goditur me sende të forta tre autobusë që po transportonin tifozët e një ekipi futbolli. Si pasojë, është shkaktuar dëmtim i mjeteve dhe shqetësim për rendin publik.
Të arrestuarit janë shtetasit A. M., 32 vjeç, K. S., 29 vjeç dhe Sh. S., 30 vjeç, ndërsa dy të mitur 17-vjeçarë janë proceduar në gjendje të lirë.
Policia po vijon punën për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprat penale: “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Shkatërrim i pronës” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të kryera në bashkëpunim.
/vizionplus.tv





