Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, dënon me forcë vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës. Begaj thekson se bëhet fjalë për një akt kriminal që kërcënon rendin dhe sigurinë e Kosovës.

 

Begaj nënvizon se Shqipëria është pranë Kosovës dhe se në këto momente është i domosdoshëm bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtare.

 

“Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

 

Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

 

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

 

Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.

 

Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët.

 

Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës’, shkruan ai.

 

Gjithashtu, Tirana zyrtare ka dënuar sulmin e orëve të para të mëngjesit në veri të Kosovës. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, deklaroi se autorët duhen të vihen para përgjegjësisë, ndërsa nënvizoi se Tirana qëndron pranë Kosovës në këto momente të vështira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *