Deklarata e parë zyrtare publike pas sulmit terrorist në sallën e koncerteve, në periferi të Moskës, u bë nga Vladimir Putin mesditën e së shtunës, duke u përpjekur të lidhte ngjarjen me Ukrainën.

Gjatë deklaratës së tij, presidenti rus e quajti atë që ndodhi të premten mbrëma një “sulm terrorist të përgjakshëm dhe barbar”, në të cilin “dhjetra njerëz paqësorë dhe të pafajshëm ranë viktima”.

Lexo edhe :

Related Posts

Putin shprehu mirënjohjen e tij për ekuipazhet e ambulancës, zjarrfikësit dhe shpëtimtarët “të cilët bënë gjithçka për të shpëtuar jetët e njerëzve” dhe shpalli 24 marsin një ditë zie kombëtare.

Duke iu referuar autorëve, ai theksoi se ata “u nisën drejt Ukrainës, ku u ishte përgatitur një “dritare” pritjeje”, duke shtuar se “kriminelët dolën për të vrarë gjakftohtë, ashtu si bënë dikur nazistët. Të gjithë autorët, organizatorët dhe ekzekutuesit e sulmit terrorist do të ndëshkohen me drejtësi”.

Siç theksoi ai, të gjithë autorët janë gjetur dhe arrestuar, duke shtuar se “armiqtë tanë nuk duhet të na përçajnë”.

“Rusia i ka kaluar testet më të vështira më shumë se një herë dhe kështu do të jetë edhe tani”, tha presidenti rus në një pikë tjetër të fjalimit.

Ukraina nuk është e përfshirë në sulmin ndaj Moskës, thotë zëdhënësi i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Kievit

Ukraina nuk ishte e përfshirë në sulmin e djeshëm pranë Moskës dhe pretendimet “nuk kanë asnjë lidhje me realitetin “, tha sot një zëdhënës i shërbimit të inteligjencës ushtarake të Kievit.

Shërbimi rus i sigurisë FSB tha se “të katër terroristët” pas sulmit në një sallë koncertesh pranë kryeqytetit rus u arrestuan teksa po shkonin drejt kufirit ukrainas dhe kishin kontakte me Ukrainën.

“Kjo është, sigurisht, një tjetër gënjeshtër nga shërbimet speciale ruse, e cila nuk ka të bëjë me realitetin,” tha për Reuters Andrei Yusov, nga Drejtoria e Inteligjencës e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ai shtoi: “Ukraina sigurisht që nuk është e përfshirë në këtë sulm terrorist. Ukraina po mbron sovranitetin e saj territorial nga pushtuesit rusë, duke çliruar territoret e veta dhe duke luftuar me ushtrinë okupuese dhe kundër objektivave ushtarake, jo civilëve.

Deklaratat e tij pasojnë ato të këshilltarit presidencial Mikaylo Podoliak, i cili mohoi çdo lidhje me Ukrainën.

Podoliak shkroi sot në X se “çdo përpjekje për të lidhur Ukrainën me sulmin terrorist është krejtësisht e pabazë”.

“Ne e prisnim këtë version nga zyrtarët rusë, përkatësisht ‘skenarin ukrainas’,” vuri në dukje Podoliak.

“Deklaratat e shërbimeve speciale ruse në lidhje me Ukrainën janë krejtësisht të pabaza dhe absurde.”

“Ukraina nuk ka asnjë lidhje me incidentin ,” vuri në dukje ai./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *