Organizata e Kombeve të Bashkuara njofton se mbi 1 milion refugjatë janë larguar nga Ukraina, ndërsa kriza humanitare vazhdon të përkeqësohet.

 

Ukrainasit po largohen në drejtim të kufijve të Bashkimit Evropian, me synimin që të kërkojnë strehim në vendet anëtare, duke përfshirë Hungarinë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Gabor Ancsin bisedoi me refugjatët ukrainas afër një pike hyrjeje përgjatë kufirit Hungari-Ukrainë.

 

Ura që ndodhet në kufirin midis Hungarisë dhe Ukrainës është një simbol historie. Ajo ekzistonte kur ushtari i fundit sovjetik u largua nga Hungaria tre dekada më parë – duke hyrë në territorin që atëherë ishte Bashkimi Sovjetik, ndërsa tani është Ukraina e pavarur.

 

Largimi ishte cilësuar si fundi i përhershëm i dominimit të Rusisë në Evropën Qendrore.

 

Por, sulmi i Rusisë mbi Ukrainën ka çuar në largimin e qindra mijëra ukrainasve përgjatë kufirit me Hungarinë. Zëri i Amerikës bisedoi me Janan, një nënë 31 vjeçare, që së bashku me fëmijët u largua nga qyteti Bucha afër Kievit. Ajo tregon se ku e ka shtëpinë, që e la papritur dhe të cilën mund të mos e shoh më kurrë.

 

“Kjo është rruga në Bucha ku vajza ime shkonte në çerdhe”, thotë Jana, e cila nuk e tregoi mbiemrin dhe kërkoi që të mos i shfaqet fytyra. Të tjerë nuk e kishin problem të identifikohen.

 

“Atje lashë gjithë jetën time. Sapo humba tërë jetën që e kisha ndërtuar. Është çmenduri. Është e tmerrshme kur kryeqyteti i vendit tuaj bombardohet. Në mes të Evropës dhe në shekullin 21 është e pabesueshme”, thotë Martha Kotek.

 

Ditëve të fundit më shumë se 100 mijë njerëz mbërritën në Hungari krahas qindra mijëra ukrainasve që janë larguar drejt vendeve tjera, veçanërisht Polonisë. Shifrat po rriten me shpejtësi, ndërsa po shtohen edhe thirrjet për më shumë ndihmë për Ukrainën.

 

“Ne po i lutemi të gjithë botës të na ndihmojë sepse kjo është toka jonë, ky është vendi ynë, ne nuk duam të lëvizim askund, ne jemi ukrainas, jemi një familje me 44 milionë njerëz. I kërkojmë popullit rus të dalë në rrugë dhe të tregojnë se janë njerëz”, tha Jana.

 

Pasi Rusia sulmoi Ukrainën, kryeministri hungarez Viktor Orban lehtësoi politikat e rrepta të migracinit në Hungari duke thënë se kjo e ndihmon vendin që të kujdeset për refugjatët ukrainas me shpejtësi dhe efikasitet.

 

Autoritetet lokale kanë hapur qendra pritjeje dhe strehimi të përkohshëm. Organizatat e financuara nga shteti ofrojnë pako ushqimore ndërsa ato bamirëse po mbledhin donacione në të gjithë Hungarinë.

 

“Ne sollëm produkte për kujdesin ndaj foshnjave, produkte higjienike, ushqime që zgjasin dhe ilaçe. Nuk duhet të na interesojë prej nga vjen tjetri, duhet të ndihmojmë. Këtu e dëshmojmë veten”, thotë Akos Toth nga Fondacioni “Koha e Shpresës”.

 

Me intensifikimin e sulmeve ruse dhe rritjen e dhunës, largimi drejt vendeve të sigurta po bëhet edhe më i vështirë me refugjatët që presin me ditë të tëra për të kaluar kufijtë. Vetëm pak ditë më parë, kjo ishte një nga rrugët më të lehta për të shpëtuar nga lufta, por kjo gjë po ndryshon me shpejtësi./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *