Sulmet izraelite në Gaza, 81 të vrarë dhe mbi 400 të plagosur gjatë 24 orëve

Të paktën 81 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 400 të tjerë janë plagosur pas sulmeve izraelite në të gjithë Gazën në 24 orët e fundit, tha ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi.
Sipas BBC, të paktën 11 persona, përfshirë fëmijë, u vranë pas një sulmi pranë një stadiumi në qytetin e Gazës. Stadiumi po përdorej për të strehuar persona të zhvendosur, të cilët jetonin në tenda.
Nga ana tjetër, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se shpresonte që një armëpushim të mund të arrihej javën e ardhshme.
Në mars, një armëpushim dy-mujor u prish kur Izraeli nisi sulme të reja në Gaza. Marrëveshja e armëpushimit, e cila filloi më 19 janar, ishte hartuar për të pasur tre faza, por nuk e kaloi fazën e parë.
Faza e dytë përfshinte vendosjen e një armëpushimi të përhershëm, kthimin e pengjeve të mbetura gjallë në Gaza në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Gaza.
Të enjten, një zyrtar i lartë i Hamasit i tha BBC-së se ndërmjetësit kanë intensifikuar përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar një armëpushim të ri dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, por se negociatat me Izraelin mbeten të bllokuara./vizionplus.tv




