Vlora është prekur nga një mot i përkeqësuar. Kushtet atmosferike të rënduara kanë filluar prej mëngjesit të kësaj të diele, ku era e fortë bregdetare po vazhdon prej orësh.
Ndërkohë, në mesditë kanë nisur edhe reshjet e shiut me intensitet të lartë. Deri më tani, nuk raportohen problematika.
Përveç kësaj, trageti i linjës Vlorë-Brindisi-Vlorë është zhvendosur në Radë, në det të hapur, duke mos qëndruar i ankoruar në kalatat e portit detar.
Kjo është bërë për shkak të erës së fortë, e cila mund të shkaktojë përplasje të tij me kalatat e portit dhe, si pasojë, dëme të shumta materiale.
Lundrimi detar nuk është pezulluar për tragetet e linjës me Brindisin apo për mjetet lundruese dhe ato të peshkimit.
Megjithatë, mjetet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese nuk kanë dalë në det, pasi era, me shpejtësi 20-25 metra për sekondë, e bën të pamundur momentalisht lundrimin e tyre. /vizionplus.tv





