Në rrjete sociale dhe jo vetëm, janë bërë tejet të zakonshme lajmërime të kësaj natyre. Ndërsa afrohet nisja e vitit të ri akademik, studentët shprehen se akomodimi në kryeqytet bëhet gjithnjë e më i vështirë për shkak të çmimeve të larta.
STUDENTE
“Në këtë periudhë për ne që vijmë nga rrethet është shumë e vështirë të gjesh vende në konvikt, ose duhet të japësh ndonjë lek që të gjesh dhomë. Prandaj kam zgjedhur shtëpi me qera por e ndaj me 3 shoqe të miat sepse nuk e përballoj dot vetëm, çmimet janë rritur shumë dhe në periferi mund të gjesh diçka mesatare.”
STUDENTE
“Unë nuk e kam zgjedhur konviktin sepse nuk më pëlqen jeta në kolektiv. Jetoj në një shtëpi me qera në qytet studenti, për aq sa paguaj e kënaqur jam, e kam rregulluar me njohje. E ndaj me një shoqe.”
Ndërkohë, drejtoresha e konvikteve në “Qytet Studenti”, Anila Shehu, shprehet se përmes aplikacionit Qytetstudenti.tirana.al, studentët mund të përditësohen për vendet e lira ndërsa regjistrimet kanë nisur më datë 4 shtator dhe vazhdojnë gjatë gjithë vitit.
ANILA SHEHU
DREJTORESHE E KONVIKTEVE
“Sapo janë hapur aplikimet vendet u zunë përgjithsisht, kanë mbetur pak dhoma të lira. Këtë vit ka një rritje të kërkesës për tu akomoduar në konvikt. Në qytetin Studenti janë 22 konvikte, 9 prej tyre të rikonstruktuar dhe 5 janë në proces. Studentët paguajnë nga 45 mijë deri në 55 mijë lekë dhe mund të regjistrohen nga aplikacioi qytetstudeni.tirana.al.”
Në godinat e rikonstruktuara, 8 dhoma janë të dedikuara për studentët me aftësi ndryshe dhe deri më tani janë rezervuar dy prej tyre.
Konviktet shtetërore në kryeqytet kanë një kapacitet prej rreth 7 mijë shtretërish ndërsa në Tiranë jetojnë të paktën 22 mijë studentë në total.