Studentët futen brenda rrethimit të Ministrisë së Arsimit, ndërhyn policia, largon me ujë protestuesit

Studentët kanë zhvilluar këtë të martë protestën e thirrur para Ministrisë së Arsimit, ku situata është përshkallëzuar në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Fillimisht, protestuesit kanë hedhur vezë në drejtim të godinës dhe kanë shkruar me spraj në mure, ndërsa më pas kanë nisur të godasin institucionin me sende të forta.
Në vijim, ata kanë shkulur kangjellat metalike dhe tullat që ndodheshin në trotuar, duke i hedhur në drejtim të godinës dhe duke thyer xhamat e dritareve. Më pas, protestuesit kanë hyrë brenda rrethimit të Ministrisë, duke bërë thirrje “Digje, digje”.
Situata është tensionuar më tej kur protestuesit kanë tentuar të shqyejnë derën e hekurt për të hyrë brenda godinës, ndërsa kanë hedhur edhe flakadanë.
Përballë përshkallëzimit të situatës, policia ka ndërhyrë duke krijuar një kordon sigurie, ndërsa në terren kanë dalë edhe forcat e FNSH-së dhe të njësisë “Shqiponja”. Policia ka përdorur gjithashtu makinën ujëhedhëse për të larguar protestuesit.
/vizionplus.tv




