Kryeministri Edi Rama ka prezantuar piketat kryesore të Programit të ri Kombëtar të Strehimit, duke e cilësuar atë jo thjesht si një program financiar, por si pjesë të një reforme të thellë strukturore në politikat e strehimit.
Gjatë prezantimit, Rama tha se pas një pune njëvjeçare janë pjekur kushtet për të bërë publike drejtimet kryesore të programit, ndërsa bëri të ditur se drafti ligjor do të kalojë së shpejti në konsultim publik dhe më pas në Kuvend.
Rama: Është një moment kur janë pjekur kushtet, pas një pune 1-vjeçare, për të bërë publike piketat kryesore të programit të ri kombëtar të strehimit. Së pari nuk është një program i ri kombëtar thjesht dhe vetëm financiar, por është një program i ri kombëtar si mishërim i një reforme strukturore shumë të thellë, e cila tani ka marrë formën e draftit ligjor. Së shpejti do të kalojë në konsultim publik dhe pastaj në Parlament për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në tërësi në rrugën e marrjes së një shtëpie.
Rama e cilësoi strehimin si një problem që nuk është vetëm shqiptar, por një sfidë e gjerë evropiane.
Rama: Të jemi shumë të qartë që kjo nuk është një temë e nxehtë vetëm në Shqipëri, ky nuk është një problem thjesht dhe vetëm lokal. Është një problem i madh evropian. Sa më të zhvilluara vendet e Evropës, aq më i madh problemi.
Në këtë kuadër, kryeministri e lidhi programin e ri të strehimit me vizionin e qeverisë për “Rilindjen 2.0”, duke theksuar se strehimi është një prej aspekteve thelbësore të këtij vizioni.
Rama: Ky është një nga ato rezultate të zhvillimit të këtyre viteve me të cilat duhet të përballemi në një formë tjetër. Tani zhvillimi i dekadës së fundit ka ndryshuar optikën e njerëzve lidhur me vendin dhe me vendin e tyre në këtë vend. Rilinda 2.0 është një vizion i ngritur në një nivel tjetër, në një sërë aspektesh dhe strehimin e ka aspektin e vet thelbësor.
Më herët, ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se qeveria synon të hapë një kapitull të ri në politikat e strehimit dhe të ndërtojë instrumente që do t’u përgjigjen nevojave të kategorive të ndryshme që kërkojnë një banesë.
Sipas Ibrahimajt, deri tani rreth 30 mijë familje shqiptare janë mbështetur përmes politikave të strehimit, ndërsa rreth 100 mijë banorë kanë përfituar nga skemat e subvencioneve. Ajo bëri të ditur gjithashtu se është përgatitur një paketë ligjore dhe se instrumentet e reja të programit pritet të lançohen së shpejti.





