Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “BBC World News”, ku theksoi se Shqipëria është e gatshme që t’iu ofrojë strehë qytetarëve afganë, nëse duan që të qëndrojnë në vendin tonë.

 

I pyetur se çfarë po bën Shqipëria për t’iu siguruar afganëve gjërat që duan, ai tha:

 

“30 vite më parë ishim ne afganët që përpiqeshin t’i largoheshin ferrit të tyre që të mbërrinin në brigjet italiane. Dhimbja, ankthi dhe e panjohura ka qenë e njëjtë. Jemi të prirur ta bëjmë këtë gjë sepse kjo na nderon ne veteë, traditën dhe historinë tonë. Ne u detyrohemi fëmijëve tanë për këtë. Ne nuk jemi vend i pasur por kemi mjaftueshëm për të ndarë me këta njerëz. Ne do të jemi bashkë. Ne nuk jemi vetëm, këtu ka shumë organizata, ju përmendët vetëm një, por ka dhe shumë të tjera.”

 

Po ashtu, kreu i qeverisë u pyet edhe nëse Shqipëria po merr ndihma nga vendet e tjera.

 

“Nga vendet më të pasura the? Jo, po mbështetemi vetëm tek bashkëpunimi me njerëzit që kanë zemër të pasur. Mesa duket është një numër i konsiderueshëm nga Britania e vende të tjera që duket se e kanë zemrën e madhe. Kemi një shprehje këtu tek ne, bukë, kripë e zemër, nuk do tu mungojë kjo gjë nga ne. 500 mijë vëllezër e motra nga Kosova erdhën tek ky vend kaq i vogël. Aso kohe ishim më të varfër dhe ja ku jemi. U pasuruam në shpirt dhe mësuam se në këtë jetë kujtesa është shumë e rëndësishme”, u përgjigj Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *