Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri  denoncon se pavarësisht se ka kaluar një vit nga tërmeti, qytetarët shqiptarë vijojnë të jetojnë në çadra.

 

Përmes një pstimi në “Facebook”, Strazimiri shkruan se  familje në Baldushk janë lënë pa shtëpi, me qëllim që të përdoren në fushatë, duke shtuar që banesat individuale janë një premtim i pambajtur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

 

“Të dashur qytetarë, spektakli propagandistik i hajdutëve të fatkeqësisë, Edi Rama dhe Erion Veliaj, ka vetëm një titull, dhe ai është mashtrim i madh. Një vit pas tërmetit ata që kanë humbur shtëpitë vijojnë të jetojnë në çadra, mes rrënojave apo në qera që nuk arrijnë t’i paguajnë dot. E gjithë kjo mizanskenë kriminale është menduar për tu vendosur në shërbim të axhendës  politike të hajduteve të fatkeqësisë. Dokumentet zyrtare provojnë se qytetarët e prekur nga tërmeti nuk do të hyjnë dot në shtëpitë e tyre, të paktën deri në korrik të vitit 2022. Pra edhe dy vjet të tjera pa shtëpi. Për të kuptuar se sa kanë zvarritur situatën, mjafton të përmendim se 6 muaj pas tërmetit Bashkia e Tiranës nuk kishte akoma vlerësimin e saktë të banesave individuale të banesave që do të duhej të ndërtoheshin. Në këto shtëpi Erion Veliaj ka qenë, xhiroi momentin e tij të minutazhit dhe nuk u duk më. Të nderuar, qytetarë paratë janë aty, plot 17 milionë euro të tenderuara për 889 banesa individuale. Por arsyeja përse nuk po vazhdojnë punimet janë zgjedhjet e vitit tjetër, e gjithë kjo për propagandën e tyre, për foto gjatë fushatës, për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.”

 

Sipas tij, këto shtëpi do të duhej të kishin përfunduar tashmë, pasi “nuk janë vila luksoze nëpër kodrat e Tiranës, por shtëpi njëkatëshe të cilat do të duhej të ishin ndërtuar në pak muaj”.

 

Pak pas akuzave, i menjëhersgëm ishte reagimi i Bashkisë së Tiranës. Duke i cilësuar inskenime mashtruese, bashkia publikoi një vendim të Këshillit Bashkiak, sipas së cilës, familja e Mersin dhe Genc Shabanajt është strehuar në kontenier.

 

 

“Për të bërë transparencë para qytetarëve të Tiranës dhe për të vërtetuar edhe njëherë me fakte, e jo me kamera HD e spote publicitare për fushatë siç bën Lulzim Basha, se qeveria dhe bashkia nuk kanë lënë pa trajtuar asnjë familje të prekur nga dy tërmetet e vitit të kaluar, sqarojmë se:

– pas tërmetit të 21 Shtatorit, familja e Mersin dhe Genc Shabanaj është dëmshpërblyer me Vendim të Këshillit Bashkiak Nr. 152, Dt. 16.12.2019 në shumën 3 milionë lekë.

– pas tërmetit të 26 Nëntorit, familja është strehuar në konteiner dhe gjatë pandemisë është ndihmuar vazhdimisht me ushqime nga bashkia dhe Njësia Administrative.

Aktualisht, dosja e familjes Shabanaj është trajtuar nga Drejtoria e Rindërtimit, e cila ka miratuar rindërtimin e dy shtëpive, për të dy vëllezërit Shabanaj, duke qenë se në shtëpinë e prishur nga tërmeti i Nëntorit 2019 kanë jetuar dy kurora.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *