Parlamenti i Shri Lankës do të zgjedhë presidentin e ri më 20 korrik, tha të hënën kryetari i Parlamentit, pasi protestuesit në fundjavë hynë në rezidencën e presidentit dhe kryeministrit aktual, të cilët kanë ofruar dorëheqje pas krizës ekonomike.

 

Presidenti i Shri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, që ka mbikëqyrur shtypjen e kryengritësve në kohën kur ishte sekretar i Mbrojtjes, pritet të japë dorëheqje të mërkurën. Vëllezërit e tij dhe nipi më herët kanë dhënë dorëheqje nga postet e ministrave kur Shri Lanka nisi të kishte mungesë të karburanteve, ushqimit dhe gjërave të tjera elementare, në krizën që është më e rënda që nga pavarësia nga Britania më 1948.

 

Parlamenti do të mblidhet të premten dhe pesë ditë më vonë do të zgjedhë presidentin e ri, tha kryetari i Parlamentit, Mahinda Yapa Abeywardena.

 

“Gjatë takimit të liderëve që është mbajtur sot, ata u pajtuan që kjo është e nevojshme për të siguruar një qeveri ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë, duke respektuar Kushtetutën”, tha ai përmes një deklarate.

 

“Partia qeverisëse ka thënë se kryeministri dhe kabineti janë të gatshëm të japin dorëheqje dhe të emërojnë një qeveri gjithëpërfshirëse”, shtoi ai.

 

Kryeministri Ranil Wickremesinghe, shtëpia private e të cilit është djegur nga protestuesit, ka thënë se do të japë dorëheqje. Zyra e tij ka konfirmuar planet për dorëheqje, duke shtuar se kabineti do të japë dorëheqje sapo të arrihet marrëveshje për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.

 

Liderët e protestave kanë thënë se do të uzurpojnë rezidencat e presidentit dhe kryeministrit në Kolombo deri në momentin kur ata të japin dorëheqje.

 

Gjatë fundjavës protestuesit hynë në shtëpinë e presidentit në Kolombo. Ky qytet ishte më i qetë të hënën, ku qindra njerëz u panë në rezidencën e presidentit. Policia nuk bëri asnjë përpjekje për të ndërhyrë.

 

Policia tha se ka pranuar rreth 50 mijë dollarë që janë gjetur nga protestuesit në rezidencën e presidentit të shtunën.

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për tranzicion paqësor të Qeverisë dhe “zgjidhje të qëndrueshme” për krizën aktuale ekonomike.

 

Për muaj të tërë, Shri Lanka po përballet me mungesë të ushqimit, karburanteve e ilaçeve dhe pakënaqësitë kulmuan të shtunën, kur protestuesit hynë në rezidencën presidenciale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *