Të paktën 10 persona deri më tani kanë përfunduar në pranga në lidhje me operacionin e Prokurorisë së Posaçme kundër trafikut ndërkombëtar të drogës. Operacioni i nisur mbrëmjen e së premtes ende vijon, ndërkohë mësohet se nga të arrestuarit 7 prej tyre janë shqiptarë dhe 3 të huaj nga Amerika Latine.
Një nga personat e prangosur është Aldi Zonja. Kontrollet e BKH dhe forcave Operacionale të Policisë janë kryer në rezidencën Kodra e Diellit 2 në Tiranë si dhe në Qerekë të Niklës. Kontrollet gjithashtu janë kryer edhe në Kavajë, Durrës, Shkozet, Vorë, Kamëz etj. Hetimet kanë nisur prej më shumë se një viti.
Lexo edhe :
Related Posts
Sipas burimeve mësohet se në Tiranë është zbuluar një laborator droge në një banesë në Qerekë e cila ishte përshtatur si vend për përpunimin e kokainës. Në këtë zonë janë gjetur pajisje materiale që përpunojnë kokainën, ndërkohë që ende nuk diher sasia e drogës që është sekuestruar.
Dyshohet se grupi kriminal merrej me trafikun e drogës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe në disa vende të Europës. Madje në Tiranë ata ndërronin shpesh herë banesa me qira për të humbur gjurmët. Madje vendet për fshehjen e drogës zgjidheshin pranë portit të Durrësit apo aeroportit për shkak të transportit të lëndës narkotike.
Janë sekuestruar në total materiale të papërpunuara lëkurë gjedhi ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024, 6.1 kg kokainë, 89.5 përzierës për solucione të lëngshme për drogën, pajisje laboratorike, 3 automjete, 22 telefona si dhe shuma të mëdha parash në euro, lekë dhe të monedhës kolumbiane.
Ky grup përdorte një laborator dhe ambiente ndihmëse për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit për nxjerrjen e kokainës nga materialet organike./vizionplus.tv







