“SPAK nuk do ekzistojë”, Berisha: Të njëjtin fat me bandat do kenë edhe prokurorët
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u paraqit sot në orën 10:00 në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit.
Si zakonisht para SPAK-ut ishin mbledhur deputetë e anëtarë të PD por këtë herë policia nuk kishte vendosur një kordon sigurie përreth godinës dhe numri i forcave të policisë ishte më i vogël.
Pasi doli nga SPAK-u kryetari i PD në foltoren e improvizuar, deklaroi se Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar e korrupsionit nuk do të ekzistojë nëse PD fiton zgjedhjet.
“Të njëjtin fat me bandat do kenë prokurorët që janë të lidhur me bandat. Absolutisht ky institucion nuk do të ekzistojë”, tha Berisha.
Berisha bëri krahasime mes kompetencave që ka SPAK-u dhe regjimeve të Hitlerit apo edhe diktatorit komunist Enver Hoxha.
“Unë ndjej keqardhje se rrëmbeheni nga momente, por një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht. Së pari, ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit. Që në momentin që ky kontrollon telefonat e gjykatësve speciale, ke krijuar atë drejtësi që as Enveri dhe Hitleri nuk e kanë pasur ndryshe. Si mund t’i japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjet? Merr fund që këtu”, tha Berisha.
Berisha lexoi sërish pjesë nga dosje që ai pretendon se i ka Spak-u ku përmendet emri i ministrit për marrëdhëniet me parlamentin Taulant Balla
“Më datën 13.04.2020, Targeti, e kuptoni vetë që ky është kodi, informoi pinin 1FA806 se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët”, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD Sali Berisha është marrë i pandehur nga Spak me akuzën e korrupsionit për privatizimin e ish kompleksit Partizani në favor të dhëndrit të tij. Gjykata ka vendosur si masë sigurie ndaj tij detyrimin për tu paraqitur në Spak të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji./vizionplus.tv




