Për 9 vite rresht 16 të pandehurit e skandalit me mikrokreditë kanë bashkëpunuar për të mashtruar e zhvatur me qindra qytetarë.
Në këtë përfundim ka dalë Prokuroria e Posaçme që mbylli hetimet për grupin e strukturuar kriminal, që ka funksionuar me qëllimin e vetëm, pasurimin e njëri-tjetrit.
Nga skema 3999 persona ranë në kurth, pasi shoqëritë “Micro Credit Albania”, “ADCA” dhe “Final” të krijuara prej të pandehurve në dukje mblidhnin detyrime të cilësuara si kredi të këqija. Mirëpo, sipas SPAK, përmes shtrëngimit dhe keqpërdorimit të të dhënave personale futën në grackë mijëra debitorë.
Prokuroria Antikorrupsion akuzon Arben Meskutin si krijues të grupit kriminal, Elda Ibron, Alban Koten, Aldo Dakën dhe 12 të tjerë si përgjegjës të mashtrimit me pasoja të rënda, falsifikimit të dokumenteve kryerjen e këtyre veprave në kuadër të organizatës kriminale.
Qëllimi i skemës ishte:
1. Shumëfishimi në mënyrë të paligjshme i detyrimeve të qytetarëve përtej atij të përcaktuar në urdhrat e ekzekutimit. Detyrimi shumëfishohej për shkak të aplikimit të interesave dhe kamatave ligjore të larta, deri 2% në ditë.
2. Mbledhja e detyrimeve duke i kaluar me metoda të paligjshme edhe tek familjarë apo të afërm të debitorëve që nuk kishin asnjë lidhje me kredinë fillestare.
3. Kalimi i pasurive dhe pronave të paluajtshme në ankande fiktive, në pronësi të institucioneve financiare jo banka: Micro Credit Albania dhe Final sh.p.k.
Për të kryer krimin punonjësit e këtyre shoqërive të urdhëruar nga drejtuesit apo organizatorët e kësaj skeme bënë qindra mijëra njoftime të paligjshme dhe telefonata kërcënuese tek debitorët dhe familjarët e tyre, u bllokuan atyre në mënyrë të paligjshme llogari bankare duke u hequr si zyrë përmbarimore.
Përveç pasojave të kundraligjshme ekonomike, SPAK thotë se veprimtaria kriminale e grupit ka shkaktuar edhe pasoja shumë të rënda sociale.
Si përfundim SPAK u sekuestroi atyre majin e vitit të kaluar llogari bankare me mbi 420 milionë lekë dhe rreth 1.3 milionë euro në formën bonove të thesarit e letrave me vlerë./vizionplus.tv





