Pas përfundimit të numërimit të votave për Kukësin, SPAK njoftoi këtë të martë se ka nisur hetimet për blerje votash në këtë qark.
Hetimet nisën pas referimeve nga Policia e Kukësit ku janë konstatuar një grup personash që kanë premtuar dhe ofruar para për disa qytetarë në disa fshatra të Kukësit, duke kërkuar që më 11 maj të votojnë për PSD.
Mbrëmjen e 10 majit, SPAK dhe Policia e Kukësit zhvilluan një operacion në Kukës për të goditur raste të blerjes së votës. Gjatë operacionit u ushtruan kontrolle në banesat e Gentian dhe Kalosh Peposhit, simpatizantë të PSD. Një prej tyre, Kalosh Peposhi, 27 vjeç, u arrestua nga policia, ndërsa Gentian Peposhi, kryeplak i fshatit Lusen, është shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit, efektivët i sekuestruan Kalosh Peposhit, i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike në Mbretërinë e Bashkuar, 205 mijë lekë, rreth 500 euro, telefonin dhe makinën. SPAK po vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë personat, të cilët morën para në këmbim të votave të tyre për subjektin politik.





