Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim ish- kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro, vënë nën akuzë për “Shpërdorim detyre”.
Sipas SPAK ai ka abuzuar me detyrën në bashkëpunim me tre ish zyrtarë.
Bëhet fjalë për ish- drejtuesin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bilbil Aliaj, ish- juristin e Kadastrës, Vezir Gjikoka dhe për Jerasimo Bashën, ish-drejtorin e mbrojtjes e menaxhimit të territorit në bashkinë e drejtuar prej mëse dy mandatesh nga Jorgo Goro.
SPAK thotë se me dokumente tërësisht të falsifikuara, Goro së bashku me vartësin e tij, Jerasimo Basho i kanë përcjellë Kadastrës shkresa që të privatizonin një tokë bujqësore prej 5512 metrash katrorë duke i zhveshur shtetit pronësinë që më herët gëzonte mbi të. Këtë pronë SPAK thotë se Kryetari i Bashkisë Himarë ia vuri në dispozicion Stavri Mëhillit, i cili është në kërkim policor që në 23 mars të vitit të kaluar kur u lëshuan urdhër arrestet.
Momenti i dytë që dyshohet se Jorgo Goro ka shpërdoruar detyrën është me zhvendosjen në terren të një toke bujqësore, prej 5080 metrash katrorë në mënyrë që të mund ta bashkonte në një të vetme me atë të mësipërmen.
SPAK ka kryer edhe hetim pasuror që çoi në zbulimin e transaksioneve mes Stavri Mëhillit që përfitoi tokën në mënyrë të paligjshme dhe një subjekti tregtar që do të ndërtonte një kompleks në të gjithë truallin që u tjetërsua.
Të dyja këto troje janë vënë nën sekuestron e SPAK. Kallëzimi për Jorgo Goron u bë nga Fredi Beleri, kandidati demokrat i zgjedhjeve të 14 majit, që u arrestua 48 orë përpara se të garonte. /vizionplus.tv




