Spaho denoncon një tentativë për blerje vote: PD të mbrojë me çdo mjet vullnetin e qytetarëve

Drejtuesi Politik i PD në Qarkun e Korçës, Edmond Spaho denoncoi një tentativë për blerje votash në fshatin Podgorie. Në një deklaratë për shtyp, Spaho tregoi si u penguan eksponentët e PS, sipas tij, nga kjo tentativë.
“Mbrëmë rreth mesnatës, struktura e mbrojtjes së votës së PD në fshatin Podgorie ndaloi tre makina të njësisë administrative Vreshtas me rreth 7 punonjës të kësaj njësie në to. Dy prej makinave të markave “Mercedes” dhe Volksëagen”, të drejtuara nga Soni Laraku dhe Andi Zaqellari, u larguan me forcë, kurse makina e tretë e drejtuar nga administratori i Njësisë Administrative Vreshtas Cezar Bezati dhe shoqërues Gerti Tabaku, u bllokua. Në terren së bashku me ta ishte edhe kryetari i PS të Podgories dhe njëkohesisht zyrtar i Tatimeve Korçë, Izmi Çoçka. Pasi u njoftua policia, mbërritën forcat e rendit të cilët ushtruan presion për lirimin e rrugës dhe të makinës së bllokuar.”
Pas kontrollit që u ushtrua në mjet, shtoi Edmond Spaho, u gjetën: Lista e zgjedhësve të fshatit Podgorie, listë e patronazhit të fshatit Podgorie me patronazhist administratorin Çezar Bezati, listë e shkruar me dorë me emra banorësh të këtij fshati. Spaho u bëri thirrje militantëve të PD të mbrojnë me çdo kusht votën e lirë.
“Pas shoqërimit të makinës së administratorit në Drejtorinë e Policisë Korçë dhe pyetjes së administratorit dhe dëshmitarëve okularë, Drejtoria e Policisë vendosi të lirojë administratorin Çezar Bezati dhe shoqëruesin e tij Gerti Tabaku si dhe të ndalojë për bllokim rruge tre simpatizantë të PD, Ahmet Goroveci, Endrison Dushku dhe Fatjon Dushku. Ju bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të PD që të vazhdojnë të qëndrojnë dhe mbrojnë me çdo mjet vullnetin e qytetarëve për ndryshim nga shitblerja e votës.”




