Kryebashkiaku Erion Veliaj ka pritur në takim artistët të cilët do të performojnë në koncertin festiv të ndezjes së dritave në kryeqytet.
“Jemi këtu me çunat e gocat më të paparë të qytetit, artistët më magjikë të Tiranës sonë, me të cilët në orën 18.00, sot pasdite do të hapim dritat e pemës së Vitit të Ri, për gjithë gëzimin që sjell kjo stinë festash. Ndërkohë gjatë gjithë natës, do kemi një Natë të Bardhë, ku do të fillojmë me hapjen e dritave, do të vazhdojmë deri në të gdhirë”, u shpreh kryebashkiaku.
E pranishme në takimin me kryebashkiakun ishte edhe artistja e njohur Manjola Nallbani e cila u shpreh se sot Tirana është e të gjithëve.
“Sonte në shesh do festojmë, do festojmë me muzikë të bukur, me artistë të mrekullueshëm, do festojmë me publikun i cili nuk është vetëm tirons, por me siguri nga të gjithë rrethet e Shqipërisë, sepse Tirana është e të gjithëve.
E dua me gjithë shpirt dhe ju ftoj të vini e të kënaqemi. Është shumë e rëndësishme të kemi sa më shumë arsye për të festuar e gëzuar me njeri-tjetrin! Gëzuar festat”, tha artistja.
Festimet për “Natën e Bardhë”, tashmë e kthyer në një traditë, do të nisin në orën 18:00 të mbrëmjes, për të vijuar deri në orët e para të mëngjesit./vizionplus.tv





