Për shkak të braktisjes së bujqësisë nga të rinjtë, grup-mosha 18-35 vjeç do të mbështetet me para direkte nga qeveria për të investuar në blegtori. Kjo masë do të jetë pjesë e Skemës Kombëtare të Mbështetjes për fermerët dhe do të shpallet në ditët në vijim.
“Unë dua të them që kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç, mundësinë që ne t’i japim nga 7 deri në 10.000 euro, po e shikojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare për të përllogaritur çdo të rinj dhe të reja që hap një biznes kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes tonë”, shprehet Andis Salla, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Pas rasteve të njëpasnjëshme të pasigurisë ushqimore në vend, së shpejti do të nisë ndërtimi i 7 laboratorëve që do të garantojnë më shumë kontrolle për produktet që futen në tregun vendas.
“Siguria ushqimore është një nga prioritetet më të mëdha që ne kemi. Duke qenë se jemi edhe në procesin e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Europian, do të vazhdojmë ta forcojmë këtë sektor për t’i garantuar konsumatorit shqiptar këtë proces të rëndësishëm. Përveç Urdhrit të Agronomit, ne kemi ndërtuar 7 laboratorë në të gjithë territorin e Shqipërisë për të mbuluar sektorin e sigurisë ushqimore dhe do të vazhdojmë me ndërtimin e 5 pikave kufitare për eksportet dhe importet.”
Brenda këtij viti pritet të zhbllokohen edhe fondet e IPARD III, pas bllokimit që u bë në gusht të 2023 sepse Zyra Evropiane kundër Mashtrimit konstatoi keqpërdorime me fondet e programit IPARD II.
“Jemi gati në të gjitha proceset që kemi përmbyllur në detyrën që kemi për të vazhduar. Në datën 9 unë jam në Bruksel së bashku me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm, në mënyrë që të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm, ku janë mbi 112 milionë euro nga Bashkimi Europian dhe pjesa tjetër, i mbështetur nga qeveria shqiptare, duke cuar buxhetin në 147 milionë.”
Gjatë konferencës me gazetarët, ministri i Bujqësisë njoftoi edhe se mbështetja për bletarinë do të dyfishohet dhe do të jepen para për çdo kilogram mjalt. Për familjet e përmbytura që presin kompensim, ministri shtoi se shumë shpejt do të nisë dëmshpërblim i tyre dhe se po ashtu, po punohet për sigurimin e fermerëve.
/vizionplus.tv





